Ndërlidhjet

Konferenca për ndryshimet klimatike mbahet në nëntor


Muajve të fundit, moti ekstrem ka goditur shumë vende të botës. Fotografia tregon përmbytjet në Nju Jork që ndodhën më 1 shtator.

Kombet e Bashkuara e hodhën poshtë kërkesën e një rrjeti botëror të organizatave joqeveritare për të shtyrë Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, nga frika se koronavirusi dhe vonesat në vaksinim do të dëmtojnë pjesëmarrjen.

“Tani për tani, nuk janë planifikuar ndryshime, por ne i kuptojmë shqetësimet”, tha zëvendësi i zëdhënësit të OKB-së, Farhan Haq.

“Komuniteti shkencor global e ka bërë të qartë se ndryshimi i klimës tani është emergjencë globale”, shtoi ai.

Rrjeti i Veprimit për Klimën - një rrjet global i më shumë se 1,500 organizatave të shoqërisë civile - i kërkoi Qeverisë britanike të shtyjë samitin, i cili pritet të nisë në fillim të nëntorit, për shkak të rritjes së infektimeve me koronavirus dhe mungesës së vaksinave.

Rrjeti, i cili është i pranishëm në rreth 130 vende të botës, tha se kushtet aktuale nga pandemia e bëjnë “të pamundur” mbajtjen e një “konference të sigurt”.

“Shqetësimi ynë është se vendet e prekura më shumë nga kriza klimatike dhe vendet që vuajnë nga mungesa artificiale e krijuar rreth vaksinave, do të bien në sy në konferencë për shkak të mungesës së tyre”, tha Tasneem Essop, drejtor ekzekutiv i Rrjetit të Veprimit për Klimën.

Moti ekstrem ka goditur shumë vende muajve të fundit dhe zyrtarët thonë se bisedimet për krizën klimatike nuk mund të shtyhen, pasi ato janë shtyrë tashmë nga nëntori i vitit 2020, për shkak të shpërthimit të koronavirusit.

“Ndryshimi i klimës nuk ka bërë pushim. Kjo është arsyeja përse duhet të mbahet konferenca në nëntor”, tha presidenti i Konferencës për Ndryshimet Klimatike, Alok Sharma, i cili është pjesë e kabinetit të kryeministrit britanik, Boris Johnson.

XS
SM
MD
LG