Ndërlidhjet

Trendafilova: Specialja është e fokusuar në mbrojtjen e dëshmitarëve


Kryetarja e Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova.
Kryetarja e Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova.

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova tha se janë të fokusuar shumë në mbrojtjen e dëshmitarëve.

“Edhe aktgjykimi më i mirë gjyqësor nuk vlen asgjë nëse ai gjykim merret në kurriz të njerëzve”, tha Trendafilova gjatë konferencës të mbajtur në Prishtinë më 7 shtator.

Ajo shtoi se shpreson që Dhomat e Specializuara nuk do të përballen me ndonjë rast ku do të rrezikohet jeta e dëshmitarëve dhe shtoi se pikërisht është mbrojtja e dëshmitarëve një prej arsyeve që kjo gjykatë, me seli në Hagë, është krijuar.

Trendafilova po ashtu shtoi se nuk e di nëse Prokuroria e Specializuar ka në plan që të ngrehë akuza ndaj personave të tjerë.

Sa i përket përfundimit të mandatit të kësaj gjykate, Trendafilova u shpreh:

“Mandati do të përfundojë sapo Këshilli i Evropës të njoftojë Kosovën që hetimet dhe procedurat e dala prej tyre do të përfundojnë”.

Protestë kundër konferencës së Trendafilovës

Sapo Trendafilova nisi konferencën e saj, disa persona hynë në sallë duke i fryrë bilbilave.

Ata thanë se nuk mund të lejojnë një konferencë të një “përfaqësuese të një gjykate të padrejtë që asnjëherë nuk mund të sjellë drejtësi”.

Pasi dolën nga salla, Trendafilova kërkoi rikthimin e tyre, me qëllim që të mund të bënin pyetje.

Më pas, Dren Gashi, një prej protestuesve, tha se kanë ardhur për të shprehur shqetësimin e tyre “me daljen e dokumenteve top-sekrete nga Gjykata” gjë për të cilën, sipas tij, qytetarët e Kosovës ndodhen në burg.

Kjo ishte referencë për publikimin e disa dokumenteve të pretenduara të Gjykatës Speciale, gjatë vitit të kaluar, që janë prezantuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për publikimin e tyre, dy prej udhëheqësve të kësaj gjykate, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj po akuzohen nga Dhomat e Specializuara për vepra penale “kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Partia Social Demokrate (PSD) njoftoi se aktivistë të saj organizuan protestën kundër Trendafilovës. Kjo parti po ashtu ka shkruar "Non Grata" (i padëshirueshëm) në veturat e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

"Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti dhe Agron Kabashi të cilët u arrestuan gjatë aktivitetit sot", tha PSD-ja përmes një reagimi në Facebook.

Aktivistja e PSD-së, Teutë Rrusta duke shkruar "Non Grata" në një veturë të misionit të EULEX-it. Prishtinë, 7 shtator 2021.
Aktivistja e PSD-së, Teutë Rrusta duke shkruar "Non Grata" në një veturë të misionit të EULEX-it. Prishtinë, 7 shtator 2021.

Pas largimit të personave që protestuan nga salla ku u majt konferenca, Trendafilova ofroi një historik të shkurtër se si janë krijuar Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

"Mandati i gjykatës është përcaktuar me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar me qëllim që të garantohet një gjykim i drejtë, i paanshëm, dhe ka juridiksion mbi krimet që janë kryer gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë që nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000", tha Trendafilova.

Ky ligj ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës më 2015 dhe gjykata u funksionalizua më 2017.

Trendafilova po ashtu ofroi edhe detaje lidhur me rastet që është duke i trajtuar kjo gjykatë.

Ajo tha se gjykimi ndaj Salih Mustafës do të nisë më 15 shtator, ndërkaq nga fundi i këtij muaji po ashtu pritet të nisë gjykimi edhe ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Ndërkaq, sa i përket rastit të ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha se puna është duke u zhvilluar me intensitet.

Ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit rëndojnë akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Që nga nëntori i vitit të kaluar, që të gjithë ndodhen në paraburgim në Hagë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Gjykata është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, por vepron në Hagë të Holandës.

XS
SM
MD
LG