Ndërlidhjet

Hetuesit rusë konfirmojnë vdekjen e Prigozhinit


Lule të vendosura pranë fotografisë së Yevgeny Prigozhin, themeluesit të grupit të mercenarëve, Wagner.
Lule të vendosura pranë fotografisë së Yevgeny Prigozhin, themeluesit të grupit të mercenarëve, Wagner.

Vdekja e Yevgeny Prigozhin, kreut të grupit mercenar Wagner, është konfirmuar nga analizat gjenetike, tha Komiteti Hetues i Rusisë më 27 gusht.

Prigozhin vdiq gjatë rrëzimit të një avioni privat në veri të Moskës më 23 gusht.

“Sipas këtyre rezultateve, është përcaktuar identiteti i dhjetë viktimave dhe korrespondojnë me listën e pasagjerëve të paraqitur të fluturimit”, tha komiteti.

Autoritetet ruse kanë thënë se në listën e pasagjerëve të avionit që u rrëzua ishte Prigozhin dhe komandanti i Wagner-it, Dmitry Utnik.

“Ekzaminimet molekulare-gjenetike kanë përfunduar si pjesë e hetimit për rrëzimin e avionit në rajonin Tver”, tha zëdhënësja e komitetit, Svetlana Petrenko.

Avioni privat Embraer ishte nisur nga Moska drejt Shën Petersburgut. Shkaku i rrëzimit të tij ende nuk është përcaktuar.

*Video: Rrëzimi i avionit me të cilin udhëtonte Prigozhini

Rrëzimi i avionit në Rusi ku besohet se mund të ketë qenë Prigozhin
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:32 0:00

Një ditë pas rrëzimit të avionit, presidenti rus, Vladimir Putin, konfirmoi tërthorazi vdekjen e Prigozhinit, pasi i shprehu ngushëllime familjesë së liderit të grupit mercenar.

“Ai [Prigozhin] ishte njeri i talentuar”, tha Putini më 24 gusht, duke e quajtur “tragjedi” rrëzimin e avionit.

Ka pasur spekulime se Kremlini mund të ketë qenë i përfshirë në rrëzimin e avionit. Avioni u rrëzua saktësisht dy muaj pasi Wagner kreu një rebelim të shkurtër kundër udhëheqjes ushtarake ruse.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka përshkruar incidentin si “tragjik” dhe i ka quajtur “gënjeshtra” spekulimet për një përfshirje të mundshme të Kremlinit në këtë ngjarje.

Prigozhin, 62 vjeç, kreu një rebelim jetëshkurtër ndaj liderëve ushtarakë rusë më 23-24 qershor. Luftëtarët e tij për një kohë të shkurtër morën nën kontroll qytetin jugor rus, Rostov-mbi-Don, dhe nisën marshimin drejt Moskës. Ata kërkuan largimin nga detyra të ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov.

Rebelimi u zhvillua pasi për muaj të tëra Prigozhin akuzoi publikisht udhëheqjen ushtarake të Rusisë për strategjinë e luftës në Ukrainë, por edhe për mungesë të furnizimeve me municion.

Rebelimi paraqiti sfidën më serioze ndaj presidentit Vladimir Putin, në dy dekadat e tij në pushtet.

Vendndodhja e Prigozhinit pas rebelimit ishte gjerësisht një mister. Ai besohet se ka lëvizur midis Rusisë dhe Bjellorusisë, ku trupat e Wagner-it kanë ngritur një kamp për të trajnuar forcat e armatosura bjelloruse, si pjesë e marrëveshjes së negociuar që i dha fund rebelimit.

Kush është Wagneri?

Wagner është një ushtri mercenare ruse që u themelua në vitin 2014, sipas udhëheqësit të saj, Yevgeny Prigozhin.

Grupi ishte shumë aktiv në luftën në Ukrainë derisa u rebelua kundër ushtrisë ruse në muajin qershor.

Luftëtarët e Wagnerit tani raportohet se janë të vendosur në kampet ushtarake në Bjellorusi.

Ndërkohë, grupi është aktiv edhe në Afrikë dhe Lindje të Mesme.

Më 28 korrik, ai ishte fotografuar në margjinat e samitit Afrikë-Rusi të mbajtur në Shën Peterburg. Në këtë fotografi ai u shfaq duke u përshëndetur me presidentin e Republikës së Afrikës Qendorre.

Pas rebelimit, Putin e kishte akuzuar Wagner-in për “thikë pas shpine” dhe kishte konfirmuar se Qeveria ruse i kishte ofruar grupit mercenar mbi 1 miliard dollarë fonde gjatë viteve të fundit.

XS
SM
MD
LG