Turqia e gatshme të organizojë takimin Zelensky-Putin
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, e kanë ende mundësinë që të takohen për zgjidhjen e konfliktit.
Duke folur në një konferencë të përbashkët në Lviv, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se kishin rënë dakord për organizimin e një takimi midis Putinit dhe Zelenskyt.
Kurse ministri turk tha se “ekziston mundësia që të dy liderët të takohen nëse ekziston një bazë për një marrëveshje”.
“Ne thamë dje se do të ishim të lumtur të presim”, tha Cavusoglu.
“Duhet të përgatiten bazat për një takim në nivel liderësh sa më shpejt që të jetë e mundur”, shtoi ai.
Kuleba tha se shpreson që Turqia nuk do të merrte anë dhe që mund të shërbente si një garantues i çdo marrëveshje paqeje midis shteteve.
Familja mbretërore e Belgjikës do të presë refugjatë ukrainas
Mbreti Philippe dhe Mbretëresha Mathilde e Belgjikës, kanë vendosur të presin refugjatë ukrainas.
Pallati Mbretëror Belg ka konfirmuar për BBC-në se dy shtëpi do të vihen në dispozicion për tri familje ukrainase.
Njëra prej shtëpive ndodhet në Bruksel dhe tjetra është në rajonin jugor të Wallonisë.
Deri më tani më shumë se 10,000 refugjatë ukrainas janë regjistruar në Belgjikë.
Autoritetet belge vlerësojnë se 200,000 ukrainas do të mbërrijnë në Belgjikë në javët e ardhshme.
Paralajmërohet se lufta në Ukrainë mund të godasë rritjen ekonomike
Lufta në Ukrainë mund të ngadalësojë rritjen ekonomike globale për më shumë se një pikë përqindjeje, në vitin e parë të pushtimit.
Sipas raportit më të ri të Organizatës për Zhvillim Ekonomik, lufta mund të shkaktojë “recesion të thellë” në Rusi.
Ndonëse Rusia dhe Ukraina përbëjnë përqindje të vogël në ekonominë globale, ato janë prodhuese të mëdha të lëndëve të para.
Sipas kësaj Organizate, konflikti mund të ndikojë në rritje globale të çmimeve për gati 2.5 për qind.
Çmimet veçse janë duke u rritur për shkak të rritjes së kërkesës, pas heqjes së kufizimeve për luftim të pandemisë së koronavirusit.