Italia e gatshme ta rindërtojë teatrin e Mariupolit
Italia është gatshme të rindërtojë teatrin e shkatërruar të Mariupolit, i cili u shkatërrua nga një sulm me bombë, tha Ministri i Kulturës Dario Franceschini.
Sipas autoriteteve ukrainase, teatri u bombardua nga Rusia, ku ishin të strehuar shumë civilë.
“Kabineti qeveritar ka miratuar propozimin tim për t’i ofruar Ukrainës rindërtimin e teatrit sa më shpejt të jetë e mundur. Teatrot e të gjitha vendeve i përkasin të gjithë njerëzimit”, shkroi Franceschini në Twitter.
Presidenti ukrainas”, Volodymyr Zelensky e falënderoi po ashtu në Twitter.
“Ju keni dhënë një shembull të mirë për t’u ndjekur. Së bashku do ta rindërtojmë vendin deri në tullën e fundit”, tha Zelensky.
Ish-kryetari i Melitopolit tregon detaje të kidnapimit
Ish-kryebashkiaku i Melitopolit, që u lirua të enjten, ka folur për rrëmbimin e tij nga forcat ruse.
Ivan Federov udhëhoqi qytetin juglindor, derisa forcat ruse e pushtuan.
Ai u lirua pasi Ukraina tha se kishte rënë dakord të shkëmbente nëntë ushtarë rusë të kapur për ta liruar Fderovin.
Federov tha për BBC-në se trupat ruse e morën atë nga zyra e tij dhe se ai nuk kishte asnjë lidhje me botën e jashtme derisa ishte në paraburgim.
Ai tha se ishte mbajtur në një dhomë të vogël me ushtarë të armatosur, por nuk ishte keqtrajtuar fizikisht.
Forcat okupuese në Melitopol, e kanë zëvendësuar Federovin me kryebashkiakun e tyre.
Rreth 50 shtetas turq janë larguar nga Mariupoli
Sipas autoriteteve turke, rreth 30 qytetarë turq janë ende të strehuar në një xhami në Mariupol dhe 50 kanë arritur të largohen nga qyteti që është përballur me bombardime të rënda ruse për ditë të tëra.
“Tridhjetë turq mbeten në xhami, 50 janë larguar”, tha për AFP-në Ismail Hacioglu, një përfaqësues i xhamisë në Mariupol.
Ai tha se nuk kanë informacion për 70 shtetas të tjerë të Turqisë që jetojnë në Mariupol.
Republika Çeke nuk mund të pranojë më refugjatë nga Ukraina
Kryeministri i Republikës Çeke, Petr Fiala, ka thënë se vendi i tij nuk mund të pranojë më refugjatë nga Ukraina, pasi po përballet me një fluks të madh njerëzish që ikin nga lufta.
Rreth 270,000 refugjatë nga Ukraina kanë mbërritur në Republikën Çeke që nga pushtimi rus muajin e kaluar.
Petr Fiala tha se qeverisë tashmë po i mbarojnë burimet, raporton Associated Press.
“Ne duhet të pranojmë se jemi në skajin kur mund t’i pranojmë këta refugjatë pa probleme”, tha Fiala.
Qeveria çeke ka në plan të lëshojë leje qëndrimi afatgjatë për refugjatët.