Ndërlidhjet

Brenda një viti, rreth 2,000 raste të tentim-kontrabandës me mallra 


Pikëkalimi kufitar në Merdare. Fotografi nga arkivi.

Autoritetet doganore të Kosovës thonë se përgjatë vitit 2019, kanë evidentuar rreth 2000 raste të kontrabandës me mallra të ndryshme. Vlera e mallit që është tentuar të hyjë si kontrabandë, përmes pikave kufitare dhe në kufirin e ashtuquajtur ‘vija e gjelbër’, sipas përfaqësuesve të Doganës së Kosovës arrin në rreth 10 milionë euro.

Pjesa veriore e Kosovës e cila shtrihet në kufi me Serbinë, sipas Doganës së Kosovës ka qenë një nga zonat më të prekura nga kontrabanda.

Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha tha për Radion Evropa e Lirë se që gjatë vitit 2019 kanë zbuluar rreth 1800 kundërvajtje doganore dhe kanë ngritur 100 kallëzime penale për vepra që lidhen me kontrabandë me mallra.

“Trendi i kontrabandës është përafërsisht i njëjtë me vitin e kaluar, por kemi një rritje të zbulimeve të rasteve të kontrabandës. Bazuar në informacionet që i kemi pasur në vendet me rrezikshmëri të lartë kemi arritur të parandalojmë kontrabandën, që kryesisht në Kosovë futen përmes rrugëve malore. Vlera e kontrabandës, bazuar në mallrat e konfiskuara gjatë vitit 2019 arrin në rreth 10 milionë euro”, tha Berisha.

Në vitin e kaluar, Policia e Kosovës kishte zhvilluar një operacion në veri dhe jug të Mitrovicës, që kishte për qëllim luftimin e krimit dhe kontrabandës. Si rezultat i këtij operacioni, ishin arrestuar 25 persona.

Produktet më atraktive, të cilat kontrabandohen në Kosovë, janë mallrat për të cilat paguhet akciza, siç është nafta, alkooli dhe duhani.

Por, pas vendosjes së taksës 100 për qind për importet dhe produktet me orgjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, sipas Berishës, është tentuar të kontrabandohen edhe mallrat ushqimore.


“Që nga aplikimi i masave mbrojtëse (taksës), nga nëntori i vitit 2018, kemi vërejtur se disa produkte që më herët nuk janë kontrabanduar, siç janë produktet ushqimore, për shkak të masave mbrojtëse ka pasur tentim të kontrabandimit të tyre, por fal krijimit të task-forcave të përbashkëta me Policinë e Kosovës dhe agjencitë tjera, kemi arritur t’i zbulojmë rreth 350 raste të tentim-kontrabandës së këtyre produkteve nga Serbia dhe Bosnja”, thotë Berisha.

Dogana e Kosovës është kontribuuesi kryesor i buxhetit të shtetit, i cili grumbullon për arkën e vet tri tatime kryesore: Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në import, taksën doganore dhe akcizën.

Përfaqësues të bizneseve thonë se nga hulumtimet që kanë bërë, taksa mund të ketë ndikuar në rënien nivelit të kontrabandës.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini thotë për Radion Evropa e Lirë se bazuar në një studim të kësaj Aleance, del se taksa ka ndikuar pozitivisht në rënien e kontrabandës në veri të vendit.

“Sipas këtij, studimi rreth 100 milionë euro ka pasur mallra të kontrabanduara nga Serbia në Kosovë në vitin 2017 dhe 2018 kurse tani ky nivel ka rënë dukshëm. Kjo ka qenë një kontrabandë e lehtë në krahasim me atë kontrabandën që ka pasur nëpër vijat e rregullta ku kanë hyrë maune të pakontrolluara, kanë hyrë maune me vlera të mëdha dhe tani hynë në sasi të vogla, me makina të vogla”, thotë ai.

Më rënien e nivelit të kontrabandës, thotë Shahini, është mundësuar një konkurrencë më e barabartë në treg.

Më 6 nëntor të vitit 2018, Qeveria në largim e Kosovës, vendosi taksën prej 10 për qind për prodhimet me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, kurse më 21 nëntor kjo taksë u ashpërsua në masë prej 100 për qind për të gjitha produktet dhe mallrat e importuara nga këto dy shtete.

*Video nga arkivi: Rrugëtimi i taksës

Rrugëtimi i taksës
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:09 0:00

Para vendosjes së taksës doganore, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë. Ky shtet, para 21 nëntorit, të vitit 2018 – kur u vendos taksa 100 për qind – gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro apo rreth 450 milionë euro brenda një viti.

Taksa vazhdon të jetë në fuqi, ndërkohë që pritet se çfarë qëndrimi në raport me taksën do të marrë Qeveria e re e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat priten të formojnë qeverinë e re, kanë paralajmëruar si mundësi zëvendësimin e taksës me vendosjen e masës së reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

XS
SM
MD
LG