Ndërlidhjet

Kontroll i rreptë i produkteve të importuara


Ilsutrim

Autoritetet kompetente në Kosovë, përgjegjëse për kontrollin e ushqimit, sigurojnë qytetarët se produktet të cilat importohen i nënshtrohen një kontrolli të rreptë dhe si të tilla janë të sigurta.

Në Kosovë në vazhdimësi janë identifikuara produkte me cilësi të dyshimtë të cilat kanë hyrë në tregun e Kosovës, por, që sipas përfaqësuesve të Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit (AVUK), produkte të tilla ndalohen dhe nuk arrijnë në duart e konsumatorëve.

Valdet Gjinovci, kryeshef ekzekutiv në AVUK, thotë për Radion Evropa e Lirë, thotë se për raste e produkteve të dyshimta të cilat mund të hidhen në treg, njoftohen përmes sistemit të paralajmërimit të Komisionit Evropian.

Ky sistem, sipas tij, ndihmon që në asnjë rast produkte me cilësi të dyshimtë të hynë në tregun e brendshëm të vendit.

Them me përgjegjësi të plotë se të gjitha produktet ushqimore, në këtë rast ato të cilat importohen, i nënshtrohen një kontrolli të detajuar nga ana e zyrtarëve të AVUK-ut, nga inspektorët, dhe në këtë drejtim jemi të sigurt për produktet të cilat ne i konsumojmë në tryezat tona familjare”, thekson Gjinovci.

Së fundi, në Evropë miliona vezë të pulave janë larguar nga tregjet evropiane, për shkak të prezencës së insekticidit fipronil, i cila është zbuluar nga shumë vende në Evropë.

Por që, sipas Gjinovcit, Kosova nuk është importuese e vezëve dhe se ky rast nuk e ka prekur vendin.

Kosova importon një sasi të vogël të vezëve nga vendet e rajonit si nga Shqipëria, por jo nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Kosova nuk është e prekur dhe nuk ka ndonjë shqetësim për qytetarët apo konsumatorët sa i përket rastit të vezëve që përmendet ne vendet e Bashkimit Evropian”, thekson Gjinovci.

Përderisa autoritetet kompetente theksojnë se të gjitha produktet janë të sigurta, organizatat joqeveritare disa herë kanë paraqitur shqetësimet e tyre për cilësinë e dyshimtë të produkteve.

Selatin Kaçaniku, udhëheqës i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, hedh dyshime në cilësinë e produkteve të cilat hyjnë në tregun e Kosovës.

Nëse kemi parasysh që importet kontrollohen sipas modelit të ekzemplarit të rastësishëm, ku çdo i 17 ekzemplarë kontrollohet nëse i referohemi nivelit të kënaqshmërisë së qytetarit, atëherë del se rezultati nuk është në nivelin e duhur. Atë çka thonë zyrtarët, ato janë në libra, por ajo që realizohet mund ta konfirmojnë vetëm qytetarët”, thekson Kaçaniku.

Ndërkohë, qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se nuk janë shumë të sigurt në atë që konsumojnë.

Bajram Bucolli qytetar thotë se nga produktet jo të mira që po i konsumojnë edhe shëndeti i qytetarëve nuk është i mirë.

Ushqimet e përgjithshme nuk janë origjinale, në të kaluarën ushqimet kanë qenë më të shëndetshme, as sëmundje nuk kemi pasur, e tash po paraqiten sëmundje të ndryshme”, thotë ai.

Ngjashëm, shprehet edhe Avdiu.

Shumë gjëra nuk po na pa pëlqejnë, nuk janë të sigurta, të dëmshme për shëndetin. Pse duhet të importojmë produkte nga vendeve tjera kur ne i kemi produktet tona”, thotë ai.

Kosova vazhdon të jetë importuese e gati të gjitha produkteve.

Vlera totale në vit e mallrave të importuara në Kosovë arrin shifrën në mbi 2.5 miliardë euro.

Kosova, që nga viti 2004 ka Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit. Ky ligj përcakton, rregullon dhe mbron të drejtat themelore të konsumatorëve gjatë blerjes së mallrave.

Ligji siguron mbrojtjen e shëndetit, mjedisit, dhe interesave ekonomike të konsumatorit.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG