Ndërlidhjet

Koreja e Veriut mbron të drejtën për sulme parandaluese bërthamore


Testimi i një rakete nga Koreja e Veriut. Fotografi nga arkivi.
Testimi i një rakete nga Koreja e Veriut. Fotografi nga arkivi.

Koreja e Veriut, përmes një ligji të ri, ka mbrojtur zyrtarisht të drejtën për të përdorur sulme parandaluese bërthamore.

Lideri verikorean, Kim Jong Un, tha se ligji i ri, që u miratua më 8 shtator, përshkruan statusin bërthamor të shtetit që do të ndalojë bisedimet për çarmatimin bërthamor, tha media shtetërore.

“Rëndësia kryesore e këtij legjislacioni është të vendosë një vijë të pakthyeshme në mënyrë që të mos ketë pazare për armët tona bërthamore”, tha Kim në Parlamentin Suprem Popullor.

Ligji i ri, që përditëson politikën paraprake, thotë se Koreja e Veriut “automatikisht” mund të kryejë sulme parandaluese bërthamore dhe “menjëherë të shkatërrojë forcat armiqësore” në rast të ndonjë sulmi konvencional nga shtetet e huaja që kërcënojnë udhëheqjen shtetërore ose komandën e forcave bërthamore të Phenjianit.

Koreja e Veriut besohet se po përgatitet të rinisë testimet bërthamore për herë të parë që nga viti 2017, kur samitet me liderët e Shteteve të Bashkuara dhe liderët botërorë dështuan të arrinin ndaljen e zhvillimit të armëve bërthamore nga Koreja e Veriut. Kim tha para Parlamentit se ai kurrë nuk do të dorëzojë armët bërthamore të shtetit edhe nëse përballet me 100 vjet sanksione.

Koreja e Veriut teston rregullisht armë bërthamore dhe në Kushtetutë i referohet vetes si fuqi bërthamore, por ligjërisht nuk njihet si shtet bërthamor. Për shkak të dëshirës së këtij shteti për të pasur armë bërthamore, komuniteti ndërkombëtar ka vendosur një sërë sanksionesh ndaj Phenjanit.

XS
SM
MD
LG