Ndërlidhjet

Koreja e Veriut lëshon raketë balistike në brigjet lindore, thotë Japonia

Kjo fotografi, e realizuar në datë të paspecifikuar mes 16 e 18 shtatorit 2026, e publikuar nga KCNA më 19 shtator 2026, shfaq liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un (i treti nga e djathta), duke inspektuar një fabrikë municionesh në një lokacion të pazbuluar në Korenë e Veriut.
Kjo fotografi, e realizuar në datë të paspecifikuar mes 16 e 18 shtatorit 2026, e publikuar nga KCNA më 19 shtator 2026, shfaq liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un (i treti nga e djathta), duke inspektuar një fabrikë municionesh në një lokacion të pazbuluar në Korenë e Veriut.

Koreja e Veriut e ka lëshuar të dielën një raketë balistike në det, në lindje të Gadishullit Korean, tha Ministria e Mbrojtjes e Japonisë.

Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut tha se rivali i saj kishte lëshuar një predhë të paidentifikuar.

Transmetuesi publik japonez, NHK, tha se raketa ra jashtë zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë.

Një ditë më herët, Koreja e Veriut e kundërshtoi një rezolutë të agjencisë së OKB-së për mbikëqyrje bërthamore të programit bërthamor të Phenianit, në një deklaratë të lexuar në mediat shtetërore.

Javën e kaluar Pheniani e dënoi gjithashtu një stërvitje detare të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, në të cilën morën pjesë Koreja e Jugut dhe Japonia dhe e cila u zhvillua nga 29 gushti deri më 10 shtator pranë Guamit.

Kim Yo Jong, motra me ndikim e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, të premten fajësoi stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga SHBA-ja për tensionet "gjithnjë e më të përkeqësuara" në Gadishullin Korean dhe u zotua se nuk do të ketë ndryshim në rrugën e vendit për forcimin e arsenalit të tij bërthamor.

Zyra presidenciale e Koresë së Jugut mblodhi të dielën Këshillin e Sigurisë Kombëtare (NSC), pas raportimeve se Koreja e Veriut kishte lëshuar raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në Detin Lindor, nga zona e Vonsanit.

Duke dënuar lëshimin e raketës, i dyti brenda rreth një jave pas një testi të mëparshëm më 12 shtator, NSC-ja i bëri thirrje Phenianit t’i ndalojë menjëherë aktivitetet me raketa, duke paralajmëruar se testi shkel drejtpërdrejt rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG