Ndërlidhjet

Rusia nis me dhënien e dozave përforcuese të vaksinave


Një qendër e vaksinimit kundër koronavirusit në Moskë.

Autoritetet shëndetësore në Rusi nisën të japin doza përforcuese të vaksinave kundër koronavirusit.

Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, tha të enjten se ka marrë dozën përforcuese dhe u bëri thirrje banorëve të qytetit që të ndjekin shembullin e tij.

“Në funksion të situatës së vështirë epidemiologjike, mjekët rekomandojnë marrjen e dozave përforcuese gjashtë muaj pas vaksinimit”, tha Sobyanin.

“Unë ju lus që të mos e humbni shansin për mbrojtje shtesë nga virusi”, shtoi ai.

Autoritetet në Moskë nisën të ofrojnë të enjten doza përforcuese për vaksinat vendore: Sputnik V, që rregullisht jepet me dy doza, dhe Sputnik Light, që jepet me një dozë.

Rusia është duke u përballur me një valë të rëndë të koronavirusit.

Autoritetet atje raportuan të enjten për 23,543 raste të reja në 24 orë dhe për 672 viktima.

Ky numër i viktimave është më i larti brenda një dite në Rusi, që nga fillimi i pandemisë, pranverën e vitit të kaluar.

Rusia ka qenë vendi i parë në botë që ka njoftuar se ka miratuar vaksinën e parë kundër koronavirusit, por, pavarësisht kësaj, ajo ka një nga normat më të dobëta të vaksinimit në botë.

Kremlini ka pranuar se qëllimi kombëtar për vaksinimin e 60 për qind të popullsisë mund të mos përmbushet.

XS
SM
MD
LG