Ndërlidhjet

Kosova pret nga Asambleja në Pekin që të bëhet pjesë e INTERPOL-it


INTERPOL
INTERPOL

Autoritetet në Kosovë presin që gjatë muajit shtator, Kosova të bëhet pjesë e organizatës më të madhe ndërkombëtare të policisë, të njohur me shkurtesën -INTERPOL.

Ata konsiderojnë Kosova i ka gjasat mjaft të mira që të pranohet në këtë organizatë. Ministri i deritashëm i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, tha për Radion Evropa e Lirë se anëtarësimi në këtë mekanizëm të sigurisë, është i një rëndësie të veçantë.

"Kosova do të ishte më efikase në luftën kundër terrorizmit, kundër krimit të organizuar dhe kundër trafikimi të njerëzve. Duke u bërë shtet anëtar i INTERPOL-it, Policia e Kosovës do të kishte qasje në të dhënat e kësaj organizate dhe do të shkëmbente në mënyrë më intensive dhe do të bashkëpunonte më mirë me një organizatë, e cila është në nivelin global", tha Hoxhaj.

Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it, ka vendosur që aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, ta vë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme që do të zhvillohet në Pekin të Kinës, nga data 26 deri më 29 shtator 2017.

Duke folur nga pozicioni i ministrit të deritashëm, Enver Hoxhaj tha se deri në mbajtjen e Asamblesë së Përgjithshme, mekanizmat përkatës të institucioneve të Kosovës do të angazhohen maksimalisht që kjo çështje të ketë sukses.

Ministri në detyrë, Enver Hoxhaj
Ministri në detyrë, Enver Hoxhaj

"Në politikën e jashtme, e cila është një fushë ku kontesti ndërkombëtar është i ndryshueshme, shpeshherë vendimet nuk varen nga puna jonë, por varen nga qëndrimet e shteteve të caktuara”.

“Është vështirë të lëvizet me parametra se a mund të jesh optimist apo pesimist. Unë mendoj se jam një realist dhe optimist se Kosova mund të arrijë një cak të tillë. Kemi mjaft kohë që të punojmë dhe gjatë tetë javëve të ardhshme do të bëjmë një punë të madhe me qëllim që të arrijmë një objektiv të tillë", deklaroi Hoxhaj.

Autoritetet në Kosovë thanë se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, do të avanconte shumë kapacitetet e vendit në luftimin e dukurive negative dhe do të avancojë dhe fuqizojë shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Ministri Hoxhaj theksoi se për të qenë pjesë e këtij mekanizmi duhet të plotësohen kriteret, për të cilat Hoxhaj tha se institucionet dhe mekanizmat përkatës i kanë plotësuar tashmë.

Hoxhaj tha, po ashtu, se nuk parasheh që në ditën e votimit të ketë ndonjë pengesë, pasi që, sipas tij, Kosova do të arrijë që të marrë votat e mjaftueshme.

"Duhet mbështetja e dy të tretave të shteteve anëtare të INTERPOL-it dhe nuk ka ndonjë numër të saktë. Por, kjo varet nga prania e tyre në takimin ku mbahet në Pekin në fund të shtatorit”.

“Ne nuk kemi ndonjë informatë aktuale se shtete të caktuar janë duke lobuar apo kundërshtojnë pranimin e saj. Në pikëpamjen tonë pranimi i Kosovës në INTERPOL është mbi të gjitha e rëndësishme për sigurinë e çdo vendi qoftë në rajon, në Evropë e botë", u shpreh Hoxhaj.

Qeveria në largim e Kosovës, tashmë ka miratuar propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë, e njohur më shkurtesën INTERPOL. Kosova në prillin e vitit 2015, ka aplikuar për anëtarësim me të drejta të plota në organizatën ndërkombëtare për siguri, INTERPOL.

Nevoja e Kosovës për anëtarësim në organizatën ndërkombëtare policore INTERPOL, sipas ekspertëve të sigurisë, është e madhe, veçanërisht për parandalimin dhe luftimin e krimeve që tejkalojnë kufijtë shtetërorë.

Dy institucionet ndërkombëtare të sigurisë, EUROPOL dhe INTERPOL, janë mekanizmat më të rëndësishëm dhe njëra nga detyrat e tyre shtrihet në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar të policisë në luftimin e krimit, të çdo lloji.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG