Ndërlidhjet

Kosova themelon grupin punues për anëtarësim në NATO 


Zyra për mbledhje e Qeverisë së Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për themelimin e grupit punues ndërinstitucional për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Në mbledhjen e Qeverisë, të mbajtur të mërkurën, 9 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se objektivi kryesor i këtij grupi do të jetë avancimi i procesit të integrimit në NATO, fuqizimi i pranisë së Kosovës në organizata dhe mekanizma rajonalë dhe ndërkombëtarë të sigurisë, si dhe bashkëpunimi me aleatët strategjikë ndërkombëtarë.

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është çështje urgjente, duke përmendur pushtimin rus në Ukrainë.

“Kosova dhe shtetet tjera demokratike pro-perëndimore në rajon po ballafaqohen çdo ditë e më shumë me veprime destabilizuese, të provokuara nga Rusia përmes vartësve të saj. Duke marrë parasysh kontekstin aktual të agresionit të paprecedentë rus ndaj Ukrainës, dhe synimeve për destabilizim dhe minim të të gjitha progreseve euroatlantike e kërcënimit për paqen globale, anëtarësimi i Kosovës në NATO është urgjent si rrallëherë më parë për solidifikimin e arkitekturës së sigurisë në rajon dhe Evropë”, ka thënë Gërvalla.

Ministrja e Jashtme do të jetë kryesuese e këtij grupi, kurse anëtarë do të jenë ministri i Mbrojtjes, ministri i Punëve të Brendshme dhe ministrja e Drejtësisë.

Përfaqësues do të ketë nga Presidenca, Kryeministria, përfaqësuesi i Kosovës për marrëdhënie me NATO-n, nga Ambasada e Kosovës në Bruksel dhe ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara.

Prej nisjes së luftës në Ukrainë, autoritetet e Kosovës kanë bërë thirrje për anëtarësimin e Kosovës në aleancën veri-atlantike.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë më 5 mars se anëtarësimi i Kosovës në NATO është i domosdoshëm që të ruhet paqja në rajon.

“Anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i shtetit tonë, andaj anëtarësimi është më i domosdoshëm se kurrë, dhe është parakusht për paqen në rajon”, ka deklaruar Osmani.

Disa ditë më parë, ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj ka kërkuar që të ndodhë anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e Bazës së Përhershme të Forcave Amerikane në Kosovë.

Traktati i NATO-s thotë se anëtarësimi në aleancë është i hapur për çdo shtet evropian që plotëson standardet e kërkuara, por aty theksohet se vendimi për zgjerim duhet të merret me marrëveshje unanime. Në radhët e NATO-s janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia.

Shansi i Kosovës për NATO
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:11:27 0:00
XS
SM
MD
LG