Ndërlidhjet

Kosova: Sulmi ndaj Ukrainës, ndër goditjet më të mëdha ndaj sigurisë ndërkombëtare


Krerët institucionalë
Krerët institucionalë

Krerët e institucioneve të Kosovës kanë dënuar agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës, si dhe vendimin e Moskës që të njohë si shtete të pavarura dy rajoneve lindore ukrainase, që kontrollohen nga separatistët pro-rusë.

“Strategjia e ndjekur nga Moska për të krijuar përmes agresionit ushtarak entitete fantome brenda territorit të Ukrainës, grumbullimi masiv i forcave ushtarake në kufijtë e Ukrainës dhe sulmi masiv dhe i paprovokuar kundër qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës është një ndër goditjet më të rrezikshme që i është bërë arkitekturës së sigurisë ndërkombëtare të ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore”, u tha në deklaratën e përbashkët të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kyeparlamentarit, Glauk Konjufca, dhe kryeministrit, Albin Kurti.

Sipas udhëheqjes së Kosovës, sulmi ndaj Ukrainës është sulm ndaj vlerave demokratike.

“Sot, në Ukrainë nuk mbrohet vetëm sovraniteti dhe e drejta për vetëvendosje e një populli të lirë dhe e një shteti të pavarur. Por, në Ukrainë mbrohen vlerat universale të paqes, demokracisë dhe të drejtës së popujve për vetëvendosje”, u tha në deklaratë, ku u shtua se Kosova qëndron në solidaritet me popullin e Ukrainës.

Po ashtu, në deklaratë thuhet se krahasimet që presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë midis Gadishullit ukrainas të Krimesë dhe Kosovës, janë të paqëndrueshme.

Këtë gadishulli Moska e aneksoi më 2014. Putin ka kërkuar që bota ta njohë këtë gadishullin si Rusi, duke tërhequr paralele me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008.

“Tendenca e diktatorit Putin për t’iu referuar rastit të Kosovës dhe për të tërhequr paralele janë tërësisht të paqëndrueshme, abuzive dhe përpjekje për të kamufluar mungesën e çfarëdo baze dhe arsyetimi të sulmit barbar të forcave të tij kundër një shteti sovran”, u tha në deklaratën e krerëve institucionalë të Kosovës, të cilët po ashtu thanë se do të punojnë me aleatët që t’i kundërvihen tendencave “destabilizuese të Rusisë” në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ndryshe, në orët e para të mëngjesit të 24 shkurtit, Rusia njoftoi se ka nisur “një operacion ushtarak” për siç tha, “çmilitarizimin” e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shtete në mbarë botën e kanë dënuar veprimin ushtarak rus ndaj Ukrainës dhe janë zotuar se do të vendosin sanksione të ashpra ndaj Moskës.

XS
SM
MD
LG