Kosova ndalon tregtinë e energjisë elektrike me kompani serbe për shkak të bllokimit të linjave ndërkufitare

E përditësuar
Qeveria e Kosovës.
Qeveria e Kosovës.

Qeveria e Kosovës e ka ndaluar tregtimin e energjisë elektrike me kompani serbe të energjisë, për shkak të, siç tha, vendimit të Serbisë për t’i mbajtur të bllokuara linjat ndërkufitare për tregtim.

Duke folur në një mbledhje të kabinetit të tij qeveritar të hënën, kryeministri Albin Kurti tha se Kosova po vendos kundërmasa ndaj Serbisë në fushën e energjisë, sepse “gjendja do të përshkallëzohet në të ardhmen, nëse nuk ka reflektim” nga shteti fqinj.

Kundërmasat e ndërmarra nga Kosova përfshijnë ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrjet me origjinë nga Serbia, pra, blerjen, shitjen, importin dhe eksportin e energjisë elektrike, qoftë drejtpërdrejt apo përmes transitit, ose rishitjes.

Kurti tha se vendimi vjen pasi Serbia nuk e zbatoi kërkesën e Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë për t’i zhbllokuar linjat e interkoneksionit ndërkufitar më 1 korrik.

“Janë bërë katër muaj e gjysmë që nuk është zbatuar ky vendim i Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, ne e kemi bërë edhe një përpjekje tjetër që përmes Bashkimit Evropian të kemi një zgjidhje të kësaj çështje”, tha Kurti.

Serbia, përmes operatorit të sistemit të transmetimit të saj, EMS, e ka pamundësuar shfrytëzimin komercial të dy linjave të interkoneksionit 400 kilovoltsh që nga viti 2020, sipas zëvendësministrit të Tregtisë të Kosovës, Fatban Bunjaku.

Kryeministri tha se ky vendim nuk vlen për furnizuesin e themeluar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për energji mes dy vendeve, Elektrosever.

Elektrosever është një kompani në pronësi të kompanisë energjetike nga Serbia, Elektroprivreda Srbije (EPS), e cila është e regjistruar në Kosovë sipas ligjeve të Kosovës.

Kjo kompani furnizon me energji elektrike konsumatorët në katër komunat me shumicë në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Kurti paralajmëroi se Kosova do ta shqyrtojë “përshkallëzimin e masave” që do të mund ta preknin edhe Elektroseverin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për energji, nëse Serbia nuk zhbllokon linjat ndërkufitare në të ardhmen.

Ky vendim vjen në një kohë kur pushteti në Serbi është ndryshuar dhe Lista Studentore, e cila e rrëzoi nga pushteti pas 14 vjetësh partinë e ish-presidentit Aleksandar Vuçiq, pritet ta bëjë qeverinë e re serbe së shpejti.

Nuk ka të dhëna të plota publike për tregtinë e energjisë ndërmjet kompanive kosovare dhe atyre serbe, përfshirë kontratat, sasitë e tregtuara apo vlerën e transaksioneve.

Kurti shtoi se Kosovës nuk i nevojiten këto linja të hapura për të importuar energji elektrike direkt nga Serbia, por për t’i shfrytëzuar ato për importin e saj transit, si dhe për qarkullimin e lirë të energjisë elektrike.

Bllokimi i linjave të interkoneksionit

Bllokimi i tregtisë së energjisë elektrike përmes linjave të interkoneksionit me Serbinë i ka kushtuar Kosovës dhe rajonit më shumë se 150 milionë euro vetëm gjatë vitit 2024, sipas Ministrisë së Ekonomisë.

Megjithatë, kjo shifër përfshin edhe rajonin dhe ministria nuk ka sqaruar se sa prej kësaj kostoje i takon drejtpërdrejt Kosovës.

Problemi po vazhdon që nga fundi i vitit 2020, kur Operatori i Sistemit të Transmetimit të Kosovës (KOSTT) filloi të funksionojë si zonë e pavarur rregulluese brenda sistemit energjetik kontinental evropian.

Që atëherë, tregtia komerciale e energjisë elektrike përmes kufirit Kosovë-Serbi nuk është funksionalizuar, ndërsa kapacitetet e dy linjave kryesore të interkoneksionit, Kosovë B–Nish dhe Podujevë–Krushevc, kanë mbetur të pashfrytëzueshme për këtë qëllim.

Për shkak të pamundësisë për të importuar dhe eksportuar energji përmes këtyre linjave, Kosova është detyruar të përdorë rrugë alternative, kryesisht përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

Kjo ka rritur kostot e transmisionit dhe ka shtuar presionin mbi kapacitetet e linjave të tjera ndërkufitare. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, në raste të caktuara kostoja e bartjes së një megavat-orë energji ka arritur deri në 800 euro, pa përfshirë çmimin e vetë energjisë.

Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se vendi ka importuar rrymë në vlerë të rreth 248 milionë eurove në periudhën janar-nëntor 2025, ndërsa ka eksportuar në vlerë të rreth 48 milionë eurove.

Importin, Kosova e ka siguruar kryesisht nga Maqedonia e Veriut, në vlerë të 114 milionë eurove, dhe nga Shqipëria, në vlerë të 94 milionë eurove, ndërsa ka importuar në vlera nga 3-4 milionë edhe nga Sllovenia, Serbia e Danimarka.

Ky lajm do të përditësohet

​
XS
SM
MD
LG