Ndërlidhjet

Krerët shtetërorë vlerësojnë kontributin e Albrightit për çlirimin e Kosovës


Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright.
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright.

Krerët shtetërorë të Kosovës kanë vlerësuar kontributin e ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, në çlirimin e Kosovës.

Albright vdiq të mërkurën, në moshën 84-vjeçare. Albright ka qenë në Sekretare e Shtetit në kohën kur janë kryer sulmet e NATO-s mbi caqet serbe, që kanë çuar në çlirimin e Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ishte e tronditur nga lajmi për vdekjen e Albright, që e cilësoi si “mike të madhe të Kosovës”.

“Ajo na dha shpresë, kur nuk e kishim atë, u bë zëri ynë e krahu ynë kur nuk kishim as zë e as krah. E njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, tha Osmani përmes një postimi në Facebook.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Albright ishte një grua e “mrekullueshme, me moral të pakompromis për SHBA-në, një mike e Kosovës deri në fund”.

“Do të na mungosh zonja sekretare”, shkroi Kurti në Twitter.

Po ashtu edhe krerët e partive politike në Kosovë, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku, Ramush Haradinaj dhe politikanë të tjerë në Kosovë kanë vlerësuar lart rolin e Albright për çlirimin e Kosovës.

Albright kishte deklaruar se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte bërë në emër të lirisë.

“Kësisoj, e çuam NATO-n në një luftë të gjatë 78 ditëshe. Ishte shumë thelbësore, sepse bëhej në emër të lirisë për njerëzit që përndiqeshin nga shtëpitë e tyre apo që vriteshin. Me këtë u dëshmua edhe vlefshmëria e misionit të ri për NATO-n”, kishte thënë Albright në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë më 2009.

Për kontributin e saj për çlirimin e Kosovës, në Prishtinë, më 2019, në përvjetorin e 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s, u zbulua në Prishtinë busti për nderë të saj.

Po atë vit, Kosova e kishte dekoruar ish-sekretaren Albright me Urdhrin e Lirisë.

XS
SM
MD
LG