Ndërlidhjet

Kusari-Lila: Kosova do ta shqyrtojë mbajtjen e zgjedhjeve nëse Serbia i dërgon kërkesë


Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. Fotografi nga arkivi.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. Fotografi nga arkivi.

Kosova do ta shqyrtonte mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe, nëse Beogradi zyrtar i dërgon kërkesë Qeverisë së Kosovës, tha të hënën shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

“Përgjigja e institucioneve të Kosovës, tashmë e konfirmuar edhe në nivel të legjislativit, është që vetëm në një pranim të kërkesës zyrtare nga shteti i Serbisë drejtuar shtetit të Kosovës me kërkesë bazuar në ligjet e aplikueshme të Kosovës dhe në praktikat evropiane, do të shqyrtohej ajo kërkesë dhe do të merrej vendimi për apo kundër mbajtjes së zgjedhjeve”, tha Kusari-Lila pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ajo shtoi se deri më tani nuk ka ndonjë kërkesë zyrtare nga Serbia drejtuar institucioneve të Kosovës. Sipas saj, Beogradi i është drejtuar institucioneve ndërkombëtare për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve, por Kusari-Lila tha se “në Kosovë autoriteti sovran është Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës”.

Serbia do të mbajë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare më 3 prill.

Ndërkaq, partitë opozitare në Kosovës thanë se presin një koordinim më të mirë mes pushtetit dhe opozitës për këtë temë.

Blerta Deliu-Kodra nga Partia Demokratike e Kosovës tha se beson që “do të kemi një koordinim më të qartë sepse na presin edhe pak ditë deri në mbajtje të zgjedhjeve”.

Ndërkaq, dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thanë se Qeveria e Kosovës duhet të respektojë obligimet që ka marrë nga një rezolutë e Kuvendit të Kosovës, që u miratua kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë për ndryshimet kushtetuese. Ky referendum në Serbi u mbajt më 16 janar.

“Ne presim që Qeveria të sillet karshi obligimeve që ka marrë nga Kuvendi”, tha Driton Selmanaj nga LDK.

Ndërkaq, Time Kadrijaj nga AAK tha se “duhet të respektohen ligjet e Kosovës, duhet të respektohet Kushtetuta e Kosovës dhe konform tyre duhet të veprojë edhe Kosova”.

Në vizitën në Kosovë gjatë javës së kaluar, ministrja e Jashtme gjermane, Analena Berbock, tha se Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë mënyra që të mbahen zgjedhjet.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i organizoi edhe në komunitetin serb në Kosovë u mbajtën më 21 qershor të vitit 2020.

Ato zgjedhje u mbajtën sipas praktikës së mëhershme, ku misioni në Kosovës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë kishte grumbulluar votat. Kjo praktikë është krijuar më 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kishin lejuar këtë gjë.

OSBE-ja grumbullonte votat pas mbylljes së qendrave të votimit. Më pas ato numëroheshin në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

Nga OSBE-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm të grumbullojnë votat edhe për zgjedhjet e reja, por me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse.

XS
SM
MD
LG