Ndërlidhjet

Kosova bëhet gati të trajtojë me plazmën e gjakut pacientët me COVID-19


Foto nga arkivi.
Foto nga arkivi.

Trajtimi i personave të infektuar me koronavirus, me plazëm e gjakut të personave të shëruar nga ky virus, pritet të nisë së shpejti në Kosovë.

Infektologu Sali Ahmeti është kryesues i grupit punues për hartimin e protokollit për përdorimin e plazmës kovaleshente, te pacientët me COVID-19 (sëmundjen që e shkakton koronavirusi i ri). Ai tha për Radion Evropa e Lirë se në bazë të takimeve që i kanë mbajtur, së shpejti do të nisë, fillimisht mbledhja e donatorëve, pra gjaku i të shëruarve nga COVID-19, dhe të aplikohet tek ata që janë të infektuar me koronavirusin e ri.

“Kriteret dhe procedurat e protokollit do t’i elaborojmë në hollësi dhe sa më shpejtë duhet fillohet. Si procedurë nuk është e lehtë, pasi duhet të caktohen indikacionet se cilin pacient duhet ta trajtojmë me plazmë gjaku sepse jo secili mund të trajtohet me këtë lloj terapie”, tha ai.

A mund të jetë gjaku i të shëruarve ilaç për pacientët me COVID-19?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:53 0:00

Megjithëkëtë Ahmeti shton se trajtimi me plazmë gjaku nuk është parë me shumë përfitime, ndonëse në shumë vende të botës që tashmë po aplikohet kjo formë e trajtimit.

“Por, sa do të jetë benefiti i gjithë kësaj pune, mbesim ta shohim. Mundësitë e aplikimit janë duke u shqyrtuar”, tha Ahmeti.

Ky lloj trajtimi bëhet duke marrë plazmën e gjakut nga pacientët e shëruar nga koronavirusi, pasi që gjaku i tyre ka antitrupa që luftojnë virusin.

Transfuzioni i antitrupave krijon atë që njihet si “imuniteti pasiv” te të prekurit me COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës më 28 tetor ka njoftuar se ka formuar një grup punues, që ka për qëllim hartimin e protokollit për përdorimin e plazmës kovaleshente për pacientët me koronavirusin e ri.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë të Kosovës, Faik Hoti, thotë se ky është një hap para drejt fuqizimit të menaxhimit dhe trajtimit gjithëpërfshirës të infeksionit me koronavirus.

“Duke ditur rëndësinë e kontrollit sa më të mirë të situatës epidemiologjike me COVID-19 dhe rëndësinë e një trajtimi sa më gjithëpërfshirës klinik të pacientëve me këtë infeksion, MSH pret që grupi punues të hartojë sa më shpejt këtë protokoll, për t’i hapur rrugë pastaj kësaj forme të trajtimit të pacientëve në spitalet e Kosovës”, tha Hoti.

Shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës po trajtojnë pacientët me COVID-19 me plazmën e gjakut të pacientëve të shëruar nga kjo sëmundje.

Teuta Kamberi, infermiere me profesion, është shëruar nga sëmundja COVID-19. Ajo thotë se është e gatshme të japë gjak, në momentin që do të fillojë të aplikohet si metodë.

“Jam e gatshme të kontribuoj, pra të ju ndihmoj qoftë anëtarëve të familjes apo edhe dikujt tjetër. Me koronavirus jam infektuar në fillim të muajit gusht. Megjithatë unë i kam ende antitrupat në bazë të testit serologjik që e kam bërë së fundmi, dhe nëse ka nevojë që plazma ime të shërbej për trajtimin e një të sëmuri, gjithsesi se do ta bëja”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.

Infektologja Lindita Ajazaj-Berisha tha për Radion Evropa e Lirë se plazmën e gjakut e përdorim në bazë të indikacioneve dhe kritereve që janë përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Ne plazmën e gjakut në Klinikën Infektive e përdorim te pacientët për disa lloje të sëmundjeve. Për COVID-19 ende nuk e kemi aplikuar, por që kjo tashmë është kjo është përcaktuar në bazë të indikacioneve të OBSH-së, e që edhe ne do ta përdorim në atë formë", tha ajo.

Ndërkaq drejtoresha e transfuzionit të gjakut, Bukurije Zhubi ka thënë se si institucion janë të gatshëm dhe profesionalisht të përgatitur që të bëhet një metodë e tillë.

“Ende nuk kemi diçka konkrete për aplikim. Jemi duke punuar në këtë drejtim”, tha ajo.

Megjithatë, studiuesit dhe bashkëpunëtorët e Klinikës prestigjioze amerikane Mayo, në qershor kanë gjetur që plazma e të shëruarit është e sigurt për përdorim te pacientët me COVID-19, dhe se ka të ngjarë të zvogëlojë vdekshmërinë nga koronavirusi. Ky studim është bërë te 20 mijë pacientët të cilët e kanë pranuar plazmën.

Ndërkaq, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar për kujdes lidhur me trajtimin me plazmë të gjakut, pasi ka thënë se ky trajtim është i një “cilësie të dobët”.

Në Kosovë, trajtimi për personat e infektuar me koronavirus po vazhdon të jetë si terapi mbështetëse dhe përfshin dhënien e vitaminave të ndryshme, trajtimi me okigjenoterapi dhe me ilaçe antipiretike dhe analgjetike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG