Ndërlidhjet

Në Kosovë detektohen nëntë raste me Omicron


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) tha se ka detektuar nëntë raste me variantin Omicron të koronavirsit.

Sipas njoftimit, dy raste janë të importuara nga Shtetet e Bashkuara, dy nga Londra e Mbretërisë së Bashkuar, një nga Franca dhe katër raste me variantin Omicron të detektuar janë në Komunën e Mitrovicës, të cilët mohojnë historinë e udhëtimit dhe se kanë pasur kontakte me dikë nga jashtë.

“Pas paraqitjes së variantit Omicron (B.1.1.529) në botë, Evropë, rajon e tashmë edhe në Kosovë, parashikohet që të rëndojë situatën epidemiologjike”, tha IKSHPK-ja.

IKSHPK-ja tha se testimi u krye me kit-e shtesë që kanë pranuar përmes Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ky institut kishte paralajmëruar më 23 dhjetor se do të pajisej me këto kite, me qëllim që të detektojnë variantin e ri Omicron.

Ekspertët shëndetësorë në Kosovë kanë thënë se simptomat e gripit stinor dhe variantit Omicron janë të ngjashme, prandaj ata kanë kërkuar që diferencimi të bëhet përmes testeve laboratorike.

Ndërkaq, disa studime të kryera në botë kanë sugjeruar se varianti Omicron mund të jetë më i lehtë se Delta, i cili aktualisht është variant dominues në Kosovë.

Më herët gjatë dhjetorit, Kosova dërgoi mbi 70 mostra pozitive për analizim në një laborator në Gjermani për të parë nëse në to kishte prani të variantit Omicron.

Ky variant i ri i COVID-19 fillimisht u detektua në Afrikën e Jugut në muajin nëntor. Që atëherë është përhapur në mbi 90 shtete të botës.

Omicroni besohet se transmetohet më shpejt se variantet paraprake, por shkencëtarët ende nuk kanë përcaktuar nëse ai shkakton sëmundje më të rëndë apo nëse shmang mbrojtjen që ofrojnë vaksinat ekzistuese kundër koronavirusit.

Raste me Omicron janë regjistruar edhe në vendet e rajonit: Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Serbi.

Për dallim nga shtetet e tjera në rajon dhe Evropë, situata epidemiologjike në Kosovë është më e qetë dhe aktualisht janë 349 raste aktive me koronavirus.

Vaksinat dhe Omicroni

Vaksinat kundër koronavirusit nuk ofrojnë aq shumë mbrojtje ndaj Omicronit, siç ofrojnë ndaj varianteve paraprake të koronavirusit.

Vaksinat, megjithatë ndihmojnë shumë.

Rezultatet laboratorike tregojnë se të paktën dy doza të vaksinës mund të mos jenë të mjaftueshme për të parandaluar infektimin, por një dozë përforcuese e kompanisë Pfizer apo Moderna, prodhon antitrupa që e luftojnë virusin, mjaftueshëm sa për t’iu kundërvënë Omicronit.

Nivelet e antitrupave bien pas një kohe dhe marrja e një doze përforcuese bën që nivelet të ngrihen sërish. Nëse një person merr dozë përforcuese Pfizer, atëherë niveli i antitrupave rritet për 25 herë.

Në Kosovë, më 9 dhjetor ka filluar administrimi i dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër koronavirusit.

Doza përforcuese u jepet qytetarëve gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës.

Kurse doza e tretë u jepet personave, të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por te të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre, apo sëmundjeve shoqëruese, me rekomandim të mjekut ordinues.

Dozën përforcuese dhe dozën e tretë do të mund ta marrin të gjithë personat mbi 18 vjeç.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, qytetarët do të njoftohen për datën e vaksinimit përmes mesazheve telefonike, e-mailit dhe njoftimeve publike.

XS
SM
MD
LG