Ndërlidhjet

KQZ shpall rezultatet, nis faza e ankesave


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të raundit të dytë për kryetarë të 17 komunave dhe rivotimit për kryetar të Komunës së Parteshit në zgjedhjet e mbajtura më 19 nëntor. Njëherësh ka certifikuar rezultatet përfundimtare për 37 nga 38 kuvendet komunale të dala nga zgjedhjet lokale më 22 tetor.

Rezultatet përfundimtare të raundit të dytë u shpallën për këto komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Vushtrri dhe Malishevë.

Në këto rezultate përfundimtare nuk përfshihen rezultatet e zgjedhjeve të raundit të dytë për kryetar të Komunës së Istogut dhe Kllokotit, pasi nuk ka përfunduar çështja e ankesave.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka bëri të ditur se nga shpallja e rezultatit fillon të rrjedhë afati 24 orësh për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Nga rezultatet e shpallura nga KQZ ka dalë se në zgjedhjet për kryetar të komunave, në përgjithësi, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar garën për kryetar në 7 komuna, (me mundësinë që fitojë edhe Komunën e Istogut) Lidhja Demokratike e Kosovës në 7 komuna, (me mundësinë që fitojë edhe Komunën e Istogut), Partia Demokratike e Kosovës në 5 komuna dhe Aleanca Kosova e Re ka fituar në 2 komuna. Nisma për Kosovën dhe Partia Demokratike Turke e Kosovës, kanë fituar në garën për kryetar komunash nga 1 komunë, Ndërkaq në dy komuna, në Skenderaj dhe Han të Elezit, kanë fituar kandidatë të pavarur.

Numrin më të madh të komunave e ka fituar Lista Serbe, gjithsej në 10 komuna, të cilat janë me shumicë serbe.

XS
SM
MD
LG