Ndërlidhjet

ATK: Të deklarohen të ardhurat nga kriptovalutat


Fotografi ilustruese - Kriptovaluta Bitcoin
Fotografi ilustruese - Kriptovaluta Bitcoin

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se të gjithë qytetarët e Kosovës që gjenerojnë të ardhura nga kriptovalutat duhet t’i deklarojnë dhe të paguajnë tatim për to.

ATK ka paralajmëruar se do të kontrollojë dhe do të merr masa ndaj personave që nuk i deklarojnë këto të ardhura.

“Administrata Tatimore e Kosovës, u bënë thirrje të gjithë personave që të deklarojnë të ardhurat e krijuara apo të korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Në njoftim është rikujtuar se kryerja e detyrimeve tatimore nga qytetarët e Kosovës nënkupton kontribut në financimin e programeve qeveritare, përkatësisht "infrastrukturës së përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore”.

Në gusht të vitit 2021, Komisioni parlamentar për Ekonomi, Industri dhe Tregti, ka filluar procedurat për Projektligjin për kriptovaluta.

Përveç kategorizimit të kriptovalutave dhe të formave të taksimit, projektligji synon edhe të sigurojë pajtueshmëri të industrisë me ligjet vendëse dhe ato ndërkombëtare.

Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain” (shqip: blloqe zinxhir). Më të popullarizuarat janë Bitcoin dhe Ethereum, por ekzistojnë mbi 5.000 kriptovaluta të ndryshme në qarkullim, sipas uebsajtit për monitorimin e tregut të kriptovalutave, CoinLore

Kriptovalutat mund të përdoren për të blerë mallra dhe shërbime të zakonshme, ndonëse shumë njerëz investojnë në to, ashtu sikurse në pasuri të tjera, siç janë aksionet apo metalet e çmueshme.

Kriptovaluta është mjet shkëmbimi, i cili është digjital, i koduar dhe i decentralizuar. Ndryshe nga valutat e zakonshme, nuk ekziston një autoritet qendror që menaxhon dhe ruan vlerën e një kriptovalute. Këto detyra janë të shpërndara gjerësisht mes përdoruesve të një kriptovalute, nëpërmjet internetit. Bitcoin ishte kriptovaluta e parë, e propozuar nga Satoshi Nakamoto, në një dokument të vitit 2008, të titulluar “Bitcoin: Sistem elektronik, pa ndërmjetësues, i parasë së gatshme”.

XS
SM
MD
LG