Ndërlidhjet

Kritika ndaj Scholz për mbështetjen e projektit kinez


Ngarkesë nga Kina në portin e Hamburgut, Gjermani.
Ngarkesë nga Kina në portin e Hamburgut, Gjermani.

Kancelari gjerman Olaf Scholz u përball me kritika të enjten pasi një raportim i mediave e akuzoi atë se po inkurajonte investimet kineze në një port të Hamburgut, pavarësisht skepticizmit të madh që ekziston në qeverinë e tij mbi këtë çështje.

Gjigandi kinez i transportit “Cosco” do të marrë 35 për qind të aksioneve në një terminal kontejnerësh në Hamburg, në një marrëveshje të rënë dakord vitin e kaluar, por ende e pa autorizuar nga qeveria federale e Gjermanisë.

Mediat gjermane NDR dhe WDR raportuan të enjten se kancelaria po planifikon të miratojë marrëveshjen pavarësisht kundërshtimit nga gjashtë ministri të ndryshme në koalicionin e qeverisë Scholz me të Gjelbërit dhe FDP-në liberale.

"Kjo nuk është diçka e mirë për ekonominë tonë dhe as për sigurinë tonë," tha bashkë-drejtuesi i partisë së Gjelbër, Omid Nouripour për portalin e lajmeve t-online.

Michael Kruse, kreu i FDP-së në Hamburg, e quajti projektin "të rrezikshëm", ndërsa eksperti konservator i politikës së jashtme Juergen Hardt tha se ky projekt do t'i mundësonte Kinës të fitonte akses në "informacione të brendshme me rëndësi".

"Kjo është pikërisht ajo që ne nuk duhet t'u shërbejmë kinezëve në një pjatë argjendi," tha Hardt për gazetën Die Welt.

Sipas raportimit të NDR dhe WDR, marrëveshja do të miratohej automatikisht nëse qeveria nuk ndërhyn deri në fund të tetorit.

Kohët e fundit qarkullojnë zëra se Scholz po planifikon të vizitojë Kinën në fillim të nëntorit.

Kina është një partner kryesor tregtar për Gjermaninë, veçanërisht për industrinë e saj të automobilave.

Por marrëdhënia është tensionuar vitet e fundit nga politika e rreptë e Kinës mbi pandeminë e COVID 19, përshkallëzimin e tensioneve me Tajvanin dhe shqetësimet për çështjet e të drejtave të njeriut në rajonin me shumicë myslimane të Xinjiang.

Shumë zyrtarë në Gjermani, përfshi Ministren e Jashtme Annalena Baerbock, kanë bërë thirrje për më shumë kujdes në tregtinë me Kinën, duke paralajmëruar se ekonomia më e madhe e Evropës duhet të mësojë nga përkeqësimi i marrëdhënieve të saj me Rusinë.

Por Scholz deri më tani nuk i është bashkuar këtyre zërave dhe madje ka këmbëngulur në mbajtjen e një samiti biznesi me Kinën.

"Ne nuk duhet të shkëputemi nga disa vende, ne duhet të vazhdojmë të bëjmë biznes me vende individuale -- dhe do të përmend në mënyrë të veçantë, gjithashtu me Kinën," tha ai.

XS
SM
MD
LG