Ndërlidhjet

Kriza me lirën turke kthehet në çështje politike


Valuta turke lira dhe disa dollarë amerikanë.
Valuta turke lira dhe disa dollarë amerikanë.

Kriza me valutën turke, lira, është kthyer në çështje politike, pasi ministri turk i Ekonomisë, Nureddin Nebati, u ka bërë thirrje qytetarëve që të padisin ekonomistët që komentojnë në rrjetet sociale për rënien e lirës.

Ministri Nebati, i ka bërë këto komente pasi rregullatori bankar i shtetit ka dorëzuar kallëzim penal ndaj më shumë se 20 personave, përfshirë një ish-guvernator të bankës qendrore, për shkak të postimeve të tyre në Twitter.

Valuta turke ka humbur gati gjysmën e vlerës së saj prej fillimit të nëntorit e deri kur presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka bërë të ditura masat e reja për mbështetje të lirës.

Analistët kanë thënë se fajtore për këtë situatë janë politikat e Erdoganit për luftim të inflacionit përmes zvogëlimit të normave të interesit – kur në fakt ai do të duhej të vepronte krejtësisht ndryshe.

Në kallëzimin penal janë shënjestruar gazetarë dhe ekonomistë, të cilët kanë sugjeruar se rënia e lirës do të vazhdojë derisa të ndryshojnë politikat e Erdoganit.

Nebati ka akuzuar komentuesit për “luftë psikologjike”, duke iu bërë thirrje turqve që të blejnë ar dhe dollarë, në mënyrë që të ruajnë kursimet e tyre nga rënia e lirës.

“Dërgoni kallëzime penale ndaj secilit që ju keqinformon”, u ka bërë thirrje njerëzve Nebati.

Në mesin e personave të përfshirë në kallëzim penale është edhe ish-guvernatori i bankës qendrore, Durmus Yilmaz – tani deputet i partisë opozitare Iyi Parti – dhe ekonomisti, Guldem Atabay.

XS
SM
MD
LG