Ndërlidhjet

Bullgaria forcon kufirin për migrantët afganë


Kufiri i Bullgarisë me Turqinë - fotografi nga arkivi

Bullgaria tha se do të forcojë kufirin e saj me Greqinë dhe Turqinë, për shkak të shqetësimeve në rritje në Evropë për një fluks migrantësh nga Afganistani.

Marrja e kontrollit të Afganistanit nga talibanët ngjalli frikën për një përsëritje të krizës së migrantëve në Evropë, si ajo e vitit 2015, kur më shumë se 1 milion njerëz që iknin nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme, arritën në bllok.

Shumë prej tyre kaluan nga Turqia dhe morën të ashtuquajturën rrugë ballkanike për të hyrë në vendet më të pasura të BE-së.

“Presioni mbi kufirin bullgar po rritet, gjë që kërkon nga Qeveria të veprojë”, tha ministri i Mbrojtjes i Bullgarisë, Georgi Panayotov.

Bullgaria do të shpërndajë në kufi 400 deri në 700 ushtarë.

Panayotov tha se ata do të jenë në dispozicion për të ndihmuar policinë dhe xhandarët me “ndërtimin e barrierave dhe me vëzhgim”.

Për çështjen e migrantëve afganë, presidenca sllovene e Bashkimit Evropian njoftoi se një takim urgjent i ministrave të Brendshëm të bllokut do të mbahet në Bruksel, më 31 gusht.

Turqia, e cila nuk është anëtare e BE-së, është gjithashtu e shqetësuar për një valë të re migrimi në Evropë dhe ka filluar t’i koordinojë përgjigjet.

Turqia strehon gati 4 milionë refugjatë sirianë dhe 300,000 afganë, përveç migrantëve dhe refugjatëve nga pjesë të tjera të botës.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë më 19 gusht se Turqia nuk e ka përgjegjësi të jetë “depo e refugjatëve në Evropë”.

XS
SM
MD
LG