Ndërlidhjet

FMN paralajmëron krizë humanitare në Afganistan


Selia e FMN-së në Uashington
Selia e FMN-së në Uashington

Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se është "shumë i shqetësuar" me kushtet ekonomike në Afganistan dhe paralajmëroi se ky vend përballet me "krizë humanitare".

Komentet vijnë një muaj pasi militantët talibanë rrëzuan Qeverinë e mbështetur nga Perëndimi dhe morën kontrollin e Afganistanit.

Që atëherë, FMN-ja dhe huadhënës të tjerë i pezulluan fondet për këtë vend.

Zëdhënësi i FMN-së, Gerry Rice, tha të enjten se, pavarësisht shqetësimeve, fondet e FMN-së për Afganistanin do të mbeten të pezulluara.

Ai u tha gazetarëve në Uashington se fokusi i menjëhershëm duhet të jetë në ndihmat për popullin afgan, duke lejuar rrjedhën e remitencave dhe duke ofruar ndihmë për vendet që strehojnë refugjatë afganë.

Edhe para marrjes së kontrollit nga talibanët, ekonomia e Afganistanit ishte jashtëzakonisht e brishtë.

E mbështetur për 20 vjet nga ndihma e huaj, rreth 40 për qind e bruto-prodhimit të brendshëm të Afganistanit ishte rezultat i ndihmës ndërkombëtare.

Por, prejse talibanët morën kontrollin e Kabulit më 15 gusht, donatorët e huaj e pezulluan ndihmën për Afganistanin, duke thënë se fondet do të kushtëzohen nga sjellja e Qeverisë së re të udhëhequr nga talibanët, e cila nuk njihet ende nga asnjë vend.

Përveç FMN-së, Banka Botërore dhe qeveritë e huaja i pezulluan po ashtu pagesat e ndihmës.

Transferet e zakonshme bankare ndaj individëve në Afganistan u bllokuan gjiithashtu.

Kjo bëri që qytetarët afganë të përballen me inflacion dhe varfëri në rritje.

Newsletter

Gjithçka që duhet të dini për temën më të diskutuar të javës jua sjellim të enjteve në tre minuta. Regjistrohuni për t'u informuar të parët!

XS
SM
MD
LG