Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë pajtuar që Bekim Sejdiu të jetë kandidat për president të Kosovës.
Marrëveshja u njoftua të hënën e 31 gushtit nga kreu i LDK-së, Lumir Abidxhiku, pas takimit me kreun e LVV-së, Albin Kurti.
“Nga të gjithë emrat që janë propozuar, jemi dakorduar për një emër - dhe, ai është prof. dr. Bekim Sejdiu”, tha Abdixhiku.
Në fjalën e tij para mediave, Sejdiu tha se e ka pranuar propozimin që të jetë kandidat për president, duke pasur parasysh kontekstin politik në të cilin ndodhet Kosova.
“Kjo mua më bën të ndihem i nderuar, pra besimi që më kanë dhënë të dy partitë politike”, tha Sejdiu para mediave.
Bekim Sejdiu është profesor i së drejtës në Universitetin e Prishtinës dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Ai ka shërbyer edhe në diplomacinë kosovare, përfshirë si ambasador i Kosovës në Turqi dhe konsull i përgjithshëm në Nju Jork.
Pas njoftimit për kandidimin e Sejdiut, ish-presidentja Vjosa Osmani - që ka marrë pjesë në të gjitha rundet e negociatave mes LVV-së dhe LDK-së për president - vlerësoi figurën e Sejdiut.
Osmani, tha se Sejdiu përfaqëson seriozitetin, integritetin dhe vizionin që kërkon posti i kreut të shtetit.
Sipas saj, Sejdiu i njeh sfidat e Kosovës, duke kërkuar mbështetjen e deputetëve për të.
Lajmi është duke u përditësuar...