Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në opozitë, Lumir Abdixhiku, kanë biseduar për “emra konkretë” për presidentin e ardhshëm të Kosovës, por nuk pranuan t’i bëjë të ditur ata për shkak të “ndjeshmërisë” së bisedimeve.
Kurti, kryeministër në detyrë, dhe Abdixhiku, u takuan të mërkurën në përpjekje për ta arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, që do t’i jepte fund krizës pothuajse dyvjeçare institucionale.
“Do të vazhdojnë bisedimet për shkak se është rritur mirëbesimi dhe është hera e parë që kemi diskutuar me dhe për emra të përveçëm”, tha Kurti pas takimit pothuajse treorësh në Prishtinë.
Ai tha se “jemi në një fazë të re, kur po bisedojmë për dhe me emrat konkretë e të përveçëm, të cilët nuk mund të behën publik derisa të ketë pajtueshmëri për ta dhe me ta”.
Derisa nuk pranoi të flasë për karakteristikat e kandidatëve, Kurti tha se “të gjithë janë në përputhje me atë qe jemi pajtuar sa i përket kritereve, standardeve, parimeve, vlerat, meritave dhe kontributeve”.
“Pra, të gjithë janë personalitete të mira, ka edhe shumë të mira, por ne duhet ta zgjedhim atë që është i/e shkëlqyeshme”, theksoi Kurti.
Edhe Abdixhiku theksoi se emrat e shtjelluar në takim “mund ta them me bindje të plotë se të gjithë, në masë të madhe, janë në vijë me parimet e dakorduara deri më tani”.
Ai shtoi se, për shkak të ndjeshmërisë së procesit, nuk mund të thotë se cilët janë emra konkretë në këtë fazë, “por do të takohemi sërish për të finalizuar dhe për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Kosovës”.
Ndërkohë, Kurti paralajmëroi për bisedime të vështira në vazhdim, duke thënë se tani “ne duhet të bisedojmë hollësisht e gjerësisht” për shkak të numrit të emrave që palët mund t’i sjellin në tryezë.
Për shkak të mospajtimeve mes partive parlamentare për pasardhësin e Vjosa Osmanit – mandati presidencial së cilës përfundoi në prill – Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme në qershor.
Dhe ajo rrezikon të mbajë sërish zgjedhje, që do të ishin të katërtat parlamentare në dy vjetet e fundit, nëse nuk zgjidhet presidenti i ri deri në fillim të shtatorit.
LVV-ja dhe LDK-ja, pas dështimit të bisedimeve për bashkëpunim qeveritar, kanë mbajtur një takim ku kanë diskutuar për profilin e presidentit të ardhshëm dhe kanë thënë se synojnë që në takimin e radhës të dalin me emra konkretë.
Deri më tani, në media kanë qarkulluar disa emra për postin e presidentit.
Emri i profesorit Ibrahim Berisha dhe i ish-nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës në vitin 1990, Ilaz Ramaji, u përmendën, por që të dy mohuan përfshirjen në proces. Po ashtu është përmendur edhe emri i ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Ndërkaq, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka propozuar emrin e ish-presidentit Hashim Thaçi për president.
Thaçi gjendet në paraburgim në Hagë duke pritur vendimin – që shpallet më 16 shtator – në rastin kundër tij dhe ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ndërkaq, ish-ambasadori i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, William Walker, ka propozuar që president të bëhet Faton Bislimi, nga radhët e LDK-së.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, sipas Kushtetutës mund ta ushtrojë këtë post vetëm për gjashtë muaj – pra deri më 4 tetor.
Akti më i lartë juridik në vend nuk ka paraparë e çfarë ndodh nëse përfundon kjo periudhë dhe vendi s’ka president të ri.
Çështja e presidentit ishte pika më e nxehtë edhe në bisedimet e dështuara për bashkëqeverisje mes LVV-së dhe LDK-së.
Tani, LVV-ja kërkon president konsensual, ndërkaq LDK-ja po ashtu kërkon që kreu i ri i shtetit të mos jetë i lidhur me ndonjë parti politike.
Partia e Kurtit i fitoi 53 mandate në zgjedhjet e fundit dhe, së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë, i ka votat e mjaftueshme prej të paktën 61 sosh, për të konstituuar Kuvendin dhe krijuar Qeverinë e re.
Megjithatë, nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.
Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në për çështjen e presidentit, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.