Ndërlidhjet

Kosova bën hap drejt zbatimit të vendimit për Manastirin e Deçanit


Toka rreth Manastirit të Deçanit, rruga shumëvjeçare drejt zgjidhjes së kontestit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:10 0:00

Toka rreth Manastirit të Deçanit, rruga shumëvjeçare drejt zgjidhjes së kontestit

Shtetet perëndimore kanë mirëpritur kërkesën e Qeverisë së Kosovës që Agjencia Kadastrale e Kosovës të zbatojë vendimin për tokën e Manastirit të Deçanit, përderisa zyrtarët lokalë dhe një shoqatë e historianëve të Deçanit kanë vazhduar kundërshtitë e tyre për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi gjatë mbledhjes së ekzekutivit më 13 mars se kërkesa drejtuar Agjencisë Kadastrale është bërë pasi që zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë të Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

Kurti tha se, ndonëse Qeverisë së Kosovës nuk i pëlqen vendimi - të cilin e ka cilësuar "të çuditshëm" e "të padrejtë" - ajo nuk ka mjete ligjore e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Shefi i ekzekutivit kosovar deklaroi se nuk do të ndryshojë qëndrimi i Qeverisë ndaj "këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë", por se, në anën tjetër, nuk ka dyshim se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës "do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe një hap gjigant për republikën tonë drejt njohjes nga pesëshja evropiane, që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian për Kosovën e pavarur".

Kurti, po ashtu, bëri të ditur se ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës, përderisa ka theksuar se procesi i vendimmarrjes për anëtarësimin e Kosovës do të përfundojë në maj.

“Më 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme e komunitetit atje, nga mesi i prillit është Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, dhe në fund të majit është shqyrtimi nga Këshilli i Ministrave, në Këshillin e Evropës, që vendos për anëtarësimin tonë”, tha ai.

Siç mëson jozyrtarisht Radio Evropa e Lirë nga burimet e saj në qarqet kishtare, Dioqeza e Rashkës-Prizrenit nuk do të deklarohet për këtë çështje, derisa të sigurohet plotësisht se 24 hektarët tokë dhe pyje të regjistrohen në emër të Manastirit të Deçanit.

Faktori ndërkombëtar mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës

Vendimi i Qeverisë së Kosovës është përshëndetur menjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një konferencë për media, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, në Prishtinë, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se "aq sa ishte i rëndësishëm dhe i vështirë, vendimi i sotëm për Manastirin ishte shumë i domosdoshëm".

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se vendimi i ekzekutivit kosovar "demonstron përkushtimin e Kosovës për të respektuar sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit".

Zbatimi i vendimit për Manastirin e Deçanit është mirëpritur edhe nga ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde.

Përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter, diplomati gjerman tha se pavarësisht se zbatimi i këtij vendimi është i vonuar, ai paraqet “një hap të rëndësishëm në angazhimin e Kosovës për sundim të ligjit”.

Ndërkaq, kreu i misionit në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Michael Davenport, tha se zbatimi i vendimit për Manastirin e Deçanit “do të ruajë respektin për sundimin e ligjit”.

Çfarë kontestohet?

Autoritetet lokale në Deçan kanë refuzuar që Manastirit të Deçanit t’ia regjistrojnë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, sepse konsiderojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk ka qenë kurrë e Manastirit.

Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese ka “legalizuar” një vendim të vitit 1997 të ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, me të cilin ajo pronë iu dhurua Manastirit të Deçanit.

Deri më tash, këtë qëndrim të pushtetit vendor e përkrahën edhe zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, për të cilët ky vendim i Gjykatës Kushtetuese “bazohet në politikën diskriminuese të Qeverisë së Serbisë të viteve ‘90”.

Por, nga Manastiri i Deçanit thonë se një qëndrim i tillë i zyrtarëve kosovarë kërcënon sigurinë e Manastirit”, sepse publikut i prezantohet “sikurse vetë Manastiri ia ka marrë tokën dikujt tjetër”.

Ata shpjegojnë se në vitin 1997 atyre iu kthyen 24 nga gjithsej 700 hektarët tokë, e cila u ishte marrë nga pushteti komunist i Jugosllavisë, në vitin 1946.

Ata, po ashtu, kujtojnë se “në kohën e Milloshevqit”, nga viti 1991 deri më 1999, janë sjellë mijëra gjykime ligjore për mosmarrëveshje të ndryshme dhe pyeten nëse të gjitha ato do të anulohen.

Kreu i Deçanit kundërshton zbatimin e vendimit

Por, ky hap i ekzekutivit kosovar ka hasur në kundërshti nga zyrtarët lokalë në Deçan. Kreu i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, ka kundërshtuar zbatimin e vendimit për tokën e Manastirit të Deçanit, duke argumentuar se që tre vjet ka pritur që të takojë kryeministrin Kurti për të diskutuar për këtë çështje.

"Kur nuk je i zoti të bësh një hair për këtë vend, është mirë të mos i bësh as sherr këtij vendi", shkroi ai në Facebok.

Po ashtu vendimi është kundërshtuar nga Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan. Kreu i kësaj lidhjeje, Shkodran Imeraj, gjatë një adresimi për media, tha se janë të “indinjuar” dhe “të befasuar” nga vendimi i Kurtit.

Ai sërish kundërshtoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronën rreth Manastirit të Deçanit, duke e cilësuar “të papranueshëm, të padrejtë, antiligjor dhe antikushtetues”.

Sipas Imerajt, zbatimi i këtij vendimi hap rrugën për precedentë “të rrezikshëm për Kosovën, duke nisur që nga kisha në pronën e Universitetit të Prishtinës dhe për të vijuar me shumë kisha dhe manastire të tjera gjithandej territorit të Republikës sonë që i ndërtoi regjimi i Millosheviqit”.

“Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat në Deçan është sulmi më i madh që i është bërë rendit juridik dhe kushtetues të Kosovës që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës e vitit 2008”, tha ai, duke paralajmëruar se po përgatiten që të dorëzojnë një lëndë për këtë çështje në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Më herët, këtë muaj, Radio Evropa e Lirë ka raportuar se Qeveria e Kosovës priste që pushteti lokal në Deçan - komunë në pjesën perëndimore të vendit - ta zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Komuna e Deçanit, e cila gjatë gjithë këtyre viteve e kundërshtoi zbatimin e këtij vendimi, ka thënë se nuk ka ndryshuar qëndrim.

Kjo komunë udhëhiqet nga zyrtarë të partisë opozitare të Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë më 6 mars, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se deklaratat e tij për këtë çështje janë publike dhe se nuk dëshiron të shtojë asgjë më shumë.

I pyetur se çfarë do të ndodhte nëse Qeveria e Kosovës do të kërkonte zbatimin e vendimit, ai ka thënë se nuk besonte që Qeveria do ta kërkonte një gjë të tillë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja origjinale e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG