Ndërlidhjet

Kurti dhe Hamza bisedojnë për vendimin e Gjykatës Speciale

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me udhëheqësin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, me të cilin ka biseduar për mënyrat që duhen ndjekur “për të korrigjuar” aktgjykimin dënues ndaj katër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të shpallur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Më 16 shtator, Hashim Thaçi, ish-president i Kosovës, dhe Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, u dënuan me nga 25 vjet burgim. Kadri Veseli, po ashtu ish-kryetar i Kuvendit, u dënua me 18 vjet burgim, ndërsa Rexhep Selimi, ish-deputet, me 13 vjet.

“Duke e vlerësuar aktgjykimin të padrejtë, të rëndë dhe me pasoja të gjera, kryeministri Kurti theksoi se ai duhet ndryshuar pozitivisht në shkallën e apelit. Kurti e Hamza ndanë mendimet dhe përshtypjet e tyre si dhe diskutuan se cilat do të ishin rrugët e mënyrat që duhet ndjekur përpara për të korrigjuar vendimin e djeshëm”, u tha në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Ekipet mbrojtëse të katërshes së UÇK-së kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin e shkallës së parë.

Takimi mes Kurtit dhe Hamzës vjen disa orë pasi strukturat udhëheqëse të PDK-së u takuan dhe Hamza tha më pas për mediat se beson se do të takohet me të gjithë udhëheqësit e subjekteve politike, duke argumentuar se aktgjykimi i shpallur nga Dhomat e Specilizuara të Kosovës në Hagë nuk është një çështje “që i takon vetëm një subjekti politik”.

“Besoj në bashkëpunimin mes partive politike, dhe në arritjen e konsensusit të nevojshëm”, deklaroi ai më herët gjatë 17 shtatorit.

Hamza u pyet edhe për mundësinë e ndonjë nisme për zhbërjen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë, që njihen si Gjykata Speciale.

“PDK-ja i ka nënshkrimet e gatshme, varësisht prej nevojave ne do të procedojmë. Nuk po flasim për zhbërjen e Gjykatës Speciale, po flasim për përshtatje me një situatë të re. Nuk po i ikim obligimit që e kemi marrë që Gjykata t’i hetojë, t’i prezantojë e faktojë të gjitha gjetjet e raportit të Dick Martyt për çka edhe është krijuar Gjykata”, deklaroi ai.

Hamza ka deklaruar pas vendimit të Gjykatës Speciale se PDK-ja do të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme ligjore dhe demokratike për të kundërshtuar vendimin ndaj katërshes së UÇK-së.

Ndërkaq, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë prezantuar të enjten një "platformë të veprimit"që përfshin, siç është thënë, qëllimet, ekipet, kërkesat dhe mjetet përmes së cilave kjo organizatë do të veprojë pas vendimit të Speciales. Në mesin e pikave të përfshira në këtë platformë janë mbrojtja në Gjykatën e Apelit të katërshes së UÇK-së dhe ndryshimin ose shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Lidhur me vendimin e Gjykatës së Hagës, Kuvendi i Shqipërisë, ndërkaq, ka miratuar një deklaratë, që kërkon koordinimin e veprimeve me Kuvendin e Kosovës me qëllim "korrigjimin e kësaj padrejtësie në rrugë institucionale".

Të katër ish-eprorët e UÇK-së u shpallën fajtorë për katër akuzat për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Ata u liruan nga gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit.

Gjykata Speciale u themelua më 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është gjykatë brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar në Holandë.

Ajo heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

XS
SM
MD
LG