Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur ofertën e tij që kampi Bondsteel të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane.
Kurti këtë deklaratë e bëri gjatë takimit me kongresistin demokrat, George Latimer, me të cilin bisedoi edhe për aspiratën e Kosovës që një ditë të bëhet pjesë e NATO-s.
“Diskutuam për zhvillimin ekonomik, përparimin në siguri, forcimin e pozitës sonë ndërkombëtare dhe partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë bashkëpunimin në mbrojtje dhe zhvillim. Ritheksova qëndrimin tonë që Kampi ‘Bondsteel’ të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane, në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjate në rajon”, shkroi Kurti në rrjetet sociale lidhur me takimin e zhvilluar në Nju Jork.
Në tetor të vitit 2021, Qeveria e Kosovës kishte njoftuar se i kishte ofruar Shteteve të Bashkuara që të krijojnë një bazë të përhershme ushtarake në Kosovë.
Oferta, në atë kohë, i ishte paraqitur nënsekretarit të Departamentit të Mbrojtjes, Colin Kahl gjatë një vizite të ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, Armen Mehaj, në Uashington.
Kampi Bondsteel në Ferizaj është kampi më i madh ushtarak që SHBA-ja ka në Kosovë.
SHBA-ja, që Kosova e konsideron aleaten kryesore dhe është kontribuuese e rëndësishme në çlirimin e vendit dhe shtetndërtim, aktualisht ka afër 600 trupa në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë i çmuar. Jemi thellësisht mirënjohës për miqësinë tonë të qëndrueshme dhe mbështetjen dypartiake që shteti ynë gëzon në Kongresin amerikan”, shkroi Kurti.
Kryeministri kosovar tha se gjatë takimit me kongresistin Latimer ka biseduar edhe për çështjen e personave të pagjetur që nga lufta e fundit në Kosovë më 1998-99.
Në këtë kontekst, Kurti përsëriti se është e rëndësishme të deklasfikiohet “dokumentacioni dhe të hapen arkivat nga Serbia” në mënyrë që të mund të zbardhet fati i personave të zhdukur.
Kurti vazhdimisht ka kërkuar që Serbia të hapë arkivat ushtarake dhe policore nga koha e luftës dhe së voni, pas gjetjes së tri varrezave masive në veri të Kosovës, krerët shtetërorë sërish kërkuan nga faktori ndërkombëtar që t’i bëjë presion Serbisë për hapjen e arkivave.
Sipas autoriteteve, mbi 1.500 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur që nga lufta e fundit.
Në prag të trevjetorit të sulmit terrorist paramilitar në Banjskë, ngritëm sërish çështjen e Milan Radoiçiqit dhe domosdoshmërinë që ai dhe përgjegjësit tjerë të përballen me drejtësinë në Republikën e Kosovës.