Ndërlidhjet

Pas sanksioneve të SHBA-së, Kurti paralajmëron "luftë ndaj grupeve kriminale"


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar mobilizim për luftë ndaj grupeve kriminale “pa dallim etnie”.

Këtë deklaratë ai e bëri në hapje të mbledhjes së qeverisë duke e përmendur vendimin e Departamentit të Thesarit të SHBA-së të 8 dhjetorit që ka futur në listë të sanksioneve 13 qytetarë serbë të Kosovës.

Kjo listë, përfshin ndër të tjerë, nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiqin, biznesmenët nga veriu i Kosovës, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviqin, si dhe Srgjan Vulloviqin, Zhelko dhe Andrija Bojiqin dhe Radulle Steviqin.

Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Vesellinoviq identifikohet si udhëheqës i grupit të krimit të organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.

Ndërkohë, kryeministri të premten më 10 dhjetor ka përsëritur se e mbështesin vendimin e SHBA-së duke thënë se sanksionet “treguan qartë adresat konkrete të vatrave të kriminalitetit”.

Ai ka shtuar se ky vendim ka arsyetuar operacionin policor kundër kontrabandës në veriun e Kosovës gjatë tetorit 2021.

“Lidhjeve e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit transnacional ne do t’i përgjigjemi me luftë të përbashkët ndërmjet zyrtarëve të institucioneve pa dallim etnie dhe bashkëpunimin ndërkombëtar me aleatët tanë”, tha Kurti.

Rikujtojmë se sipas vendimit të SHBA-së grupi i lartpërmendur "është i angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë”.

Grupit të personave të sanksionuar iu bllokohet kryesisht prona dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.

XS
SM
MD
LG