Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, nuk ka treguar se a do të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit në vazhdimin e seancës konstituive të tij, të mërkurën, më 9 shtator.
“Nesër e kanë thirrur seancën e Kuvendit, do të jemi aty”, u përgjigj para gazetarëve Kurti të martën.
Deklarata e Kurtit erdhi një ditë pasi Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) konfirmuan se do të marrin pjesë në seancën e 9 shtatorit.
Në seancat e 6 dhe 8 gushtit, Kurti kishte kërkuar kohë shtesë nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, deri në arritjen e një marrëveshje politike për çështjen e presidentit.
Që atëherë, Kuvendi ka mbetur pa e përmbyllur konstituimin e legjislaturës së njëmbëdhjetë, duke ngecur tek pika e zgjedhjes së kryetarit dhe ajo e nënkryetarëve të Kuvendit.
Më 31 gusht, LVV-ja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) arritën marrëveshje për nominimin e Bekim Sejdiut për president të Kosovës, për zgjedhjen e të cilit kërkohet pjesëmarrja e së paku 80 deputetëve në votim nga 120 sa i ka gjithsej Kuvendi i Kosovës.
Partia fituese e zgjedhjeve, LVV-ja, ka 53 deputetë, ndërsa partia e tretë, LDK-ja, 18 deputetë, gjashtë prej të cilëve janë deklaruar kundër marrëveshjes për emrin e Sejdiut.
Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ka 22 deputetë, nuk ka ofruar mbështetje për këtë kandidat, ashtu sikurse Aleanca, e cila ka kushtëzuar votën tetë deputetëve të saj.
Kreu i LVV-së tha më 8 shtator se do të vazhdojnë edhe më tutje takimet dhe bisedimet për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, për të parandaluar shkuarjen në zgjedhje.
“Ne jemi vazhdimisht në komunikim me të tjerët, dhe besoj që duhet t'i shtroni pyetje atyre të cilët po thojnë se do ta bojkotojnë zgjedhjen e presidentit”, deklaroi Kurti.
Vendi është me ushtruese të detyrës së presidentit, Albulena Haxhiun, që kur Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në krye të shtetit në prill.
Haxhiu, sipas Kushtetutës, mund ta ushtrojë këtë post vetëm për gjashtë muaj – pra deri më 4 tetor.
Akti më i lartë juridik në vend nuk ka paraparë se çfarë ndodh nëse përfundon kjo periudhë dhe vendi s’ka president të ri.