Ndërlidhjet

Kurti: Asetet dhe ndërtesat e Republikës duhet të mbrohen prej bandave


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se "nuk e paramendon" zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në komunat veriore të vendit, pa u larguar “bandat kriminale të nacionalizmit e shovinizmit të djathtë ekstrem, të cilët e adhurojnë Millosheviqin e Putinin”.

Kërkesën që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të zëvendësohen me trupat e KFOR-it, e kanë paraqitur përfaqësuesit e Listës Serbe, si kusht për të tërhequr protestuesit serbë nga ndërtesat e komunave në veri, ku edhe janë tubuar 4 ditët e fundit.

“Ata, ose le të shkojnë në Serbi, ose duhet t’i çojmë në burg. Mirëpo, nuk ka mundësi që ne të mos i mbrojmë asetet dhe ndërtesat e Republikës nga bandat e tilla. Kur ato të largohen ose mbyllen ne do të mund ta zvogëlojmë prezencën”, tha kryeministri.

Ai ka mbështetur edhe njëherë qëndrimin e tij se kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës duhet të punëojnë nga zyret e tyre nëpër ndërtesa të komunave përkatëse.

“Unë besoj që vendi i punës së kryetarit të komunës duhet të jetë në ndërtesën publike të komunës, sepse ndërtesa publike e komunës është ndërtesë e Republikës”, tha Kurti.

Kryeministri vendosi një paralele mes gjendjes së krjuar në veri të Kosovës me gjendjen e jashtëzakonshme gjatë pandemisë COVID-19, duke kujtuar që askush nuk ka qenë në vend të punës për shkak se atë kohë “nuk kishte vaksina”.

“Mirëpo vendi i punës së kryetarit është në atë ndërtesë, dhe unë besoj që është mirë të gjithë të jenë atje...Ata kandidatë që kanë garuar dhe kanë fituar, duhet ta bëjnë punën, sepse për të paguhen”, tha Kurti.

Të dyja këto çështje të cilat i adresoi Kurti, kanë të bëjnë me kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës, të cilat i bëri të ditura ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier.

Kërkesat për Qeverinë janë: të mos insistojë që kryetarët të punojnë nga ndërtesat komunale dhe t’i tërheqë zyrtarët policorë nga tri ndërtesat e komunave në veri.

“Ne nuk e kuptojmë pse nuk mund të shfrytëzohen lokacione alternative, apo ndërtesa tjera publike, për kryerje të funksioneve të tyre”, tha Hovenier, duke kujtuar se kryetarët e komunave në fjalë janë betuar në lokacione alternative.

“Ne besojmë se prezenca e Policisë së Kosovës në ndërtesa, e cila ka hyrë me forcë, është tejet sfiduese, prandaj i kemi kërkuar Qeverisë që ta tërheqë policinë nga këto tri ndërtesa komunale”, tha ai, duke shprehur bindjen se këto veprime do të ndihmonin në uljen e tensioneve.

Kryeministri Kurti tha se "raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së janë raporte të shkëlqyeshme bilaterale dhe kudo të arenën ndërkombëtare".

Tensionet në veri të Kosovës u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Më 29 maj, nga përleshjet midis protestuesve serbë që kundërshtojnë kryetarët dhe ushtarëve të KFOR-it në Zveçan - 30 ushtarë mbetën të plagosur, ashtu si edhe dhjetëra protestues.

NATO-ja ka thënë se është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të qetësuar dhunën në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe, tha të enjten shefi i aleancës, Jens Stoltenberg.

Ai shtoi se 700 trupat e para përforcuese janë tashmë në rrugë për në Kosovë.

Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb.

XS
SM
MD
LG