Ndërlidhjet

Kurti në Dubrovnik: Të zbatohet marrëveshja për normalizim


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kosova dhe Serbia kanë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve që duhet ta zbatojnë, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti, më 9 qershor, në konferencën “Kroacia Evropiane: retrospektiva dhe perspektiva”, në Dubrovnik.

Ai tha se zbatimi i marrëveshjes bazë dhe arrestimi apo largimi i rreth tridhjetë ekstremistëve nga pjesa veriore e Kosovës në Serbi, janë kusht për sundimin e ligjit, pa të cilin nuk do të ketë zgjedhje të reja në veri të Kosovës.

“Njerëzit ndonjëherë harrojnë se mungesa e zgjidhjes nuk do të thotë mungesë të marrëveshjes, por se mungesa e zgjidhjes është rezultat i moszbatimit të saj. Është një sukses i madh i Bashkimit Evropian që ata kanë çuar në një situatë ku Kosova dhe Serbia më në fund kanë një marrëveshje për normalizimin e bazuar në njohjen reciproke de facto”, tha ai.

Kurti shtoi se Kosova “duhet të përballet me ekstremistët e dhunshëm, ultra-nacionalistët, të djathtët që besojnë në ‘botën serbe’ dhe e shikojnë atë me botën ruse... këta janë njerëz që e admirojnë Millosheviqin apo Putinin”, theksoi ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE), më herët, i kanë bërë thirrje Kurtit që të largojë kryetarët e komunave nga objektet komunale në komunat veriore dhe njësitë speciale të policisë, të cilat ndihmuan vendosjen e tyre në ato objekte.

Kryeministri i Kosovës tha se vendit të tij “i duhet sundimi i ligjit dhe një datë për zgjedhje”. Ai shtoi se ndërkohë, Kosova mund të zvogëlojë praninë e njësive speciale të policisë nëse “ekstremistët e dhunshëm” i ndalin trazirat.

“Mendoj se kjo është rruga përpara, së bashku me dialogun intensiv për zbatimin e marrëveshjes, sepse ne kemi një marrëveshje që duhet ta zbatojmë”, tha Kurti.

Në mars, Kosova dhe Serbia u pajtuan për zbatimin e marrëveshjes së BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, e cila “de facto” do të sillte njohje reciproke, por presidenti serb Alleksandar Vuçiq refuzoi ta nënshkruajë atë.

“Kjo është një arritje e madhe e BE-së. Kemi arritur në një situatë ku Kosova dhe Serbia përfundimisht kanë një marrëveshje për normalizim”, ka shtuar Kurti.

Kryeministri i Kosovës tha në Dubrovnik se “Bashkimi Evropian është projekti më i rëndësishëm i paqes dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore” dhe se ai iu bashkua dialogut me Serbinë, sepse ishte “organizuar nga Bashkimi Evropian, i cili i lehtëson bisedimet”.

Ai ka rikujtuar se Kosova, në dhjetor të vitit të kaluar, ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe se shpreson që sa më shpejt ta marrë pyetësorin për anëtarësim nga Komisioni Evropian.

“Ne e dimë se kemi një rrugë të gjatë për të bërë, por nuk duam të hyjmë në BE nga dera e pasme apo me procedurë të përshpejtuar, por me meritat tona. Për ne BE-ja është edhe fat edhe synim”, tha Kurti, duke shtuar se 94 për qind e qytetarëve të Kosovës mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Në trazirat e fundit në Kosovë, në fund të majit, dhjetëra paqeruajtës të NATO-s dhe protestues serbë nga veriu i Kosovës u lënduan.

Trazirat ndodhën pasi autoritetet e Kosovës vendosën kryetarët e komunave, shqiptarë etnik, në zyrat komunale.

Kryetarët e komunave u zgjodhën në bazë të pjesëmarrjes prej vetëm 3.5 për qind, pasi shumica e serbëve në atë rajon bojkotuan zgjedhjet lokale.

XS
SM
MD
LG