Ndërlidhjet

Kurti flet për liberalizimin e vizave, propozimin franko-gjerman dhe dialogun


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha që është optimist për liberalizmin e vizave.

Deklaratat ai i bëri në konferencën e përbashkët me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, pasi pranoi Raportin për vendin për vitin 2022 të Komisionit Evropian.

Më 7 tetor, KE u ka dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Këshill një dokument të detajuar teknik ku konfirmon se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe se Komisioni konfirmon se mbetet në fuqi propozimi që BE-ja t’i liberalizojë vizat për Kosovën. Ky dokument, do të jetë edhe bazë për diskutimin në grupin punues për vizat në Këshill më 13 tetor në Bruksel.

I pyetur rreth propozimit franko-gjerman, Kurti tha se nuk ka propozim të tillë për marrëveshje finale.

“Ka diskutime, ka opsione, ka teste e sprova, por nuk mund të them që ka diçka të ngurtësuar që do ta prezantonim në formë përfundimtare”, tha ai.

Ai tha se është optimist edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Dialogu përmendet edhe në Raportin e KE-së, ku thuhet se nga të dyja vendet kërkohet angazhim urgjent për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që do t’i normalizonte marrëdhëniet mes tyre.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte i pari që njoftoi më 8 tetor se Parisi dhe Berlini kanë propozuar që shteti i tij të lejojë që Kosova të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në BE.

Komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, tha më herët gjatë ditës, se nëse ekziston një propozim i tillë, atëherë BE-ja edhe “ndoshta mund të kontribuojë” në të.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011 dhe ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Së fundmi, Franca dhe Gjermania kanë shtuar përpjekjet për të shtyrë Prishtinën dhe Beogradin drejt arritjes së një marrëveshjeje.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron përmes një letre dërguar Kurtit dhe Vuçiqit më 4 shtator, u kërkuan që të jenë të gatshëm për vendime të vështira në dialog.

Kosova dhe Serbia kanë qëndrime të kundërta sa i përket përfundimit të dialogut. Përderisa Kosova kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, por pa specifikuar se për çfarë zgjidhje bëhet fjalë.

XS
SM
MD
LG