Ndërlidhjet

Kush mund ta zëvendësojë Johnsonin?


Boris Johnson do të shërbejë si kryeministër derisa të mbahet gara për lidership.
Boris Johnson do të shërbejë si kryeministër derisa të mbahet gara për lidership.

Reuters

Kryeministri britanik, Boris Johnson, dha dorëheqje nga posti i liderit të Partisë Konservatore të enjten, duke thënë se ishte “qartësisht vullneti” i partisë së tij që ai të largohej.

Ai u tërhoq si udhëheqës i partisë, por planifikon të qëndrojë si kryeministër derisa të mbahet gara për lidership.

Më poshtë janë emrat e disa prej atyre që mund ta zëvendësojnë. Megjithatë, nuk ka ende favorit të qartë dhe ata nuk janë renditur sipas perspektivave të mundshme.

Liz Truss

Sekretarja e Jashtme është e preferuara e Partisë qeverisëse Konservatore. Ajo ka kryesuar vazhdimisht sondazhet e bëra nga ueb-faqja Conservative Home.

Liz Truss.
Liz Truss.

Truss ka krijuar me kujdes imazhin e saj publik. Ajo është fotografuar në një tank vitin e kaluar, duke i bërë jehonë një fotografie të famshme të vitit 1986 të kryeministres së parë grua të Britanisë, Margaret Thatcher.

Truss, 46 vjeçe, ka kaluar dy vjetët e parë të udhëheqjes së Johnsonit si sekretare e Tregtisë Ndërkombëtare, ka mbështetur BREXIT-in [daljen e Britanisë nga BE-ja] dhe, vitin e kaluar, është emëruar kryenegociatore e Britanisë me BE-në.

Truss ka thënë të hënën se Johnson ka “mbështetjen e saj 100%” dhe u ka kërkuar kolegëve ta mbështesin atë.

Jeremy Hunt

Ish-sekretari i Jashtëm, 55 vjeç, ka përfunduar i dyti, pas Johnsonit, në garën për udhëheqje, në vitin 2019. Ai do të ofronte një stil lidershipi më serioz dhe më pak të diskutueshëm.

Jeremy Hunt
Jeremy Hunt

Gjatë dy vjetëve të fundit, Hunt ka shfrytëzuar përvojën e tij si ish-sekretar i Shëndetësisë për të kryesuar Komisionin e Shëndetësisë në Parlament.


Muaj më parë, ai ka thënë se ambicia e tij për t’u bërë kryeministër “nuk është zhdukur plotësisht”. Hunt ka thënë se ka votuar për të rrëzuar Johnsonin gjatë një votëbesimi muajin e kaluar, të cilin Johnson mezi e ka fituar.

Ben Wallace

Ministri i Mbrojtjes, Ben Wallace, 52 vjeç, është bërë muajt e fundit anëtari më popullor i Qeverisë, falë trajtimit të krizës në Ukrainë, vlerëson ueb-faqja Conservative Home.

Ben Wallace
Ben Wallace

Si ish-ushtar, ai ka nisur karrierën politike si anëtar i Parlamentit të Skocisë, në vitin 1999. Për herë të parë në Parlamentin Uestministër është zgjedhur më 2005.
Ai ka qenë ministër i Sigurisë nga viti 2016 deri në marrjen e rolit të tij aktual, tre vjet më vonë.

Wallace është vlerësuar shumë, pasi departamenti i tij ka evakuuar shtetasit britanikë dhe aleatët nga Afganistani, vitin e kaluar, si dhe për dërgimin e armëve në Kiev.

Rishi Sunak

Sunak, i cili ka dhënë dorëheqje si ministër i Financave të martën, duke thënë se publiku britanik “me të drejtë pret që Qeveria të drejtohet siç duhet, me kompetencë dhe me seriozitet”, deri në vitin e kaluar ka qenë favorit për ta pasuar Johnsonin.

Rishi Sunak
Rishi Sunak

Ai është vlerësuar për një paketë të shpëtimit ekonomik - pas shpërthimit të pandemisë COVID-19 - e cila ka përfshirë një program të kushtueshëm për ruajtjen e vendeve të punës.

Por, Sunak është përballur me kritika më vonë për, siç është thënë, mosdhënien e mbështetjes së mjaftueshme për familjet.

Zbulimet në lidhje me statusin tatimor të gruas së tij dhe një gjobë që ka marrë - së bashku me Johnsonin - për thyerjen e rregullave të izolimit nga COVID-i, e kanë dëmtuar pozitën e tij.

Sajid Javid

Javid ka qenë ministri i parë i kabinetit që ka dhënë dorëheqje në shenjë proteste për akuzat se Johnson ka mashtruar publikun, në lidhje me sjelljen e papërshtatshme seksuale të një ligjvënësi konservator.

Sajid Javid
Sajid Javid

Si ish-bankier dhe mbështetës i tregjeve të lira, Javid ka shërbyer në një sërë rolesh në kabinet - më së fundi si ministër i Shëndetësisë.

Ai ka dhënë dorëheqjen si ministër i Financave i Johnsonit në vitin 2020.

Djalë i prindërve emigrantë nga Pakistani, ai është admirues i Thatcherit dhe ka përfunduar i katërti në garën për udhëheqje, në vitin 2019.

Nadhim Zahawi

Ministri i sapoemëruar i Financave ka lënë përshtypje të mirë si ministër i Vaksinave, në kohën kur Britania ka qenë ndër shpërndarëset më të shpejta në botë të vaksinave për COVID.

Nadhim Zahawi
Nadhim Zahawi

Historia personale e Zahawit, si ish-refugjat nga Iraku që ka shkuar në Britani si fëmijë, e veçon atë nga pretendentët e tjerë. Ai ka bashkëthemeluar kompaninë e sondazheve YouGov, përpara se të hynte në Parlament në vitin 2010.

Puna e tij e fundit ka qenë sekretar i Arsimit.

Zahawi ka thënë, javën e kaluar, se do të ishte “privilegj” të bëhej kryeministër në një fazë.

Penny Mordaunt

Ish-sekretarja e Mbrojtjes është shkarkuar nga Johnsoni kur është bërë kryeministër, pasi ajo ka mbështetur rivalin e tij, Hunt, gjatë garës së fundit për udhëheqje.

Penny Mordaunt
Penny Mordaunt

Mordaunt ka qenë mbështetëse e zjarrtë e largimit të Britanisë nga BE-ja.

Aktualisht ministre e re e Tregtisë, Mordaunt i ka cilësuar si “të turpshme” disa festa që kanë thyer rregullat e COVID-it, e për të cilat është gjobitur edhe Johnson.

Më herët, ajo kishte shprehur besnikëri ndaj Johnsonit.

Tom Tugendhat

Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme në Parlament, njëherësh ish-ushtar që ka luftuar në Irak dhe Afganistan, ka lënë të kuptohet tashmë se do të kandidojë në çdo garë për udhëheqje.

Ai ka qenë kritik i vazhdueshëm i Johnsonit dhe do t’i ofronte partisë së tij një shkëputje të qartë nga qeveritë e mëparshme.

Megjithatë, ai është relativisht i patestuar, sepse nuk ka shërbyer asnjëherë në kabinet.

Suella Braverman
Suella Braverman

Suella Braverman

Si prokurore e përgjithshme që ka mbështetur BREXIT-in, Braverman ka thënë se do të kandidojë për lidership.

Ajo është kritikuar nga avokatët gjatë mandatit të saj, pasi Qeveria ka bërë përpjekje të shkelë ligjin ndërkombëtar, në lidhje me rregullat e tregtisë me Irlandën e Veriut, pas BREXIT-it.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG