Justina Shiroka Pula u propozua për presidente të Kosovës nga kryeministri Albin Kurti, disa orë para skadimit të afatit për zgjedhjen e presidentit më 6 tetor.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, tha se emri i saj është i pranueshëm për këtë post.
Shiroka Pula është ekonomiste dhe akademike, gruaja e parë që udhëheq Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), institucion i themeluar më 1975.
Shkollimin fillor dhe të mesëm e përfundoi në Prishtinë, ku më 1976 diplomoi në Fakultetin Ekonomik. Studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i përfundoi më 1984 në Zagreb, ndërsa doktoroi në Universitetin e Prishtinës me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Shiroka Pula ka punuar në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa më 1978 nisi karrierën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Sipas biografisë së saj në ASHAK, ajo ka ndjekur edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Lincit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara.
Nga viti 2008 deri më 2011, ajo ishte ministre e Energjisë dhe Minierave nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ndërsa nga viti 2011 deri më 2014 ishte deputete e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës
Pas luftës, ajo u angazhua edhe në shoqërinë civile, veçanërisht në fuqizimin e grave, barazinë gjinore dhe zhvillimin e bizneseve dhe ndërmarrësisë.