Ndërlidhjet

Opozita nuk i jep vota pushtetit


Kuvendi i Kosovës, fotografi nga arkivi.
Kuvendi i Kosovës, fotografi nga arkivi.

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës nuk do të votojnë asnjë ligj derisa ky organ ligjvënës të votojë për themelimin e një komisioni hetimor për çështjen e energjisë, që është inicuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Komisioni hetimor do të shikonte të gjitha masat e marra gjatë periudhës së shpalljes së gjendjes emergjente për energjinë, për të cilën, Kuvendi kishte votuar në fundin e vitit të kaluar.

Këto zhvillime vijnë pasi në seancën plenare të 19 prillit, Kuvendi dështoi që të votonte kërkesën e partive opozitare Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që të votohej për një mocion procedural që të futej në rend dite pika e formimit të komisionit parlamentar.

Pas kësaj, deputetët e tri partive opozitare lëshuan sallën.

Nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje argumentuan se opozita kishte bërë shkelje ligjore, pasi nënshkruesit e kërkesës për këtë çështje, nuk mund ta kryesojnë komisionin hetimor.

Por, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, bëri të ditur gjatë seancës plenare se nisma për formimin e këtij komisioni ishte përkrahur nga 40 deputetë. Megjithatë ai ka thënë se iniciues të kësaj nisme janë vetëm deputetët e PDK-së dhe të tjerët vetëm e kanë përkrahur këtë nismë.

Sipas Ligjit për hetim parlamentar për të inicuar themelimin e një komisioni hetimor parlamentar duhet nënshkrimi i gjashtë deputetëve, ndërkaq për themelimin e një komisioni të përhershëm parlamentar kërkohet përkrahja e një të tretës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ka 120 ulëse.

PDK: Arroganca e numrave të pushtetit nuk mund ta fshehë të vërtetën

Pas zhvillimeve në Kuvend, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në një konferencë për media, bëri të ditur se kjo është hera e dytë që Lëvizja Vetëvendosje nuk lejon që të formohet një komision i tillë.

Ai tha se deri në formimin e komisionit hetimor, deputetët e PDK-së do të marrin pjesë në seanca plenare, por nuk do të votojnë për asnjë legjislacion.

“Është hera e parë në historinë parlamentare të Kosovës që pushteti i shumicës e shkel brutalisht të drejtën e pakontestueshme për hetim parlamentar si një e drejtë kushtetuese dhe ligjore për të mbikëqyrur punën e qeverisë dhe institucioneve të tjera nga ana e Kuvendit të Kosovës”, tha Krasniqi.

Ai tha se kjo çështje do të jetë pikë e rregullt në seancën e ardhshme plenare, duke shtuar se komisioni do të formohet.

“Përkundër insistimit të pushtetit për ta mbajtur të fshehtë krejt atë që ka ndodhur për muaj të tërë, sot ju themi se arroganca e numrave të pushtetit nuk do mund ta mbajë të fshehur të vërtetën e cila duhet të dalë në dritë”, tha ai.

AAK: Qeveria pengoi Kuvendin për themelimin e komisionit

Ndërkaq, në një konferencë të ndarë për media, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj akuzoi Qeverinë se ka penguar Kuvendin që të votojë për themelimin e komisionit hetimor, që sipas tij, ka për qëllim të hetojë shpenzimet dhe subvencionet për sektorin e energjisë.

Ai tha se Grupi Parlamentar i AAK-së nuk do të marrë pjesë në asnjë votim në Kuvend, derisa të miratohet ky komision.

LVV me akuza për opozitën

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, i bëri thirrje opozitës që të reflektojë dhe të mos pres që kjo partia t’ua bëjë numrat në Kuvend për formimin e një komisioni hetimor për çështjen e energjisë.

Në një konferencë për media më 19 prill, kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se kërkesa e partive opozitare, që në seancën e sotme të votohej për themelimin e komisionit hetimor për periudhën kur Qeveria shpalli gjendje emergjente për energji, ishte në kundërshtim me ligjin.

“Sot ishte përpjekja e dytë e opozitës që në kundërshti me rregullat për formimin e komisionit hetimor parlamentar tentuan që të vendosin para aktit të kryer seancën plenare të Kuvendit. Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje refuzoi të bëhet pjesë e kësaj ndërmarrjeje që shkel mbi normat e ligjit për hetimin parlamentar”, tha Kusari-Lila.

Ajo tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asgjë për të fshehur në raport me kërkesat për hetim parlamentar për masat e marra gjatë gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë.

“Megjithatë, ne nuk mund t’ia bëjmë numrat opozitës në këtë rrethanë, veçmas jo në situatën kur parashohin që të bëjnë shkelje në raport me normat ligjore, e gjithashtu krahas tyre të pranojmë etiketimet, fyerjet dhe paragjykimet që çdokush që është në pozitë sillet njëjtë sikurse dikur është sjellë opozita e sotme”, tha Kusari-Lila.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se sipas ligjeve, të gjithë inicuesit e kërkesës për formimin e komisionit parlamentar nuk mund ta kryesojë të njëjtin.

Ai u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të reflektojnë, pasi tha se partia e tij nuk është kundër formimit të këtij komisioni.

Kuvendi i Kosovës më 29 dhjetor të vitit 2021 kishte miratuar masat emergjente të Qeverisë së Kosovës lidhur me furnizimin e energjisë elektrike.

Këto masa përfshinin: vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Për shkak të mungesës me furnizim me energjinë dhe rritjen e çmimeve të importit, Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) prezantoi tarifat me rritje dhe Qeveria e Kosovës u zotua se do të subvenciononte me 90 milionë euro konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë energji elektrike.

Megjithatë, në fillim të prillit, Gjykata Themelore e Prishtinës ka pezulluar vendimin për shtrenjtimin e rrymës, duke vendosur masë të parakohshme deri në marrjen e një vendimi përfundimtar për këtë çështje.

XS
SM
MD
LG