Peci: Opozita dhe Lista Serbe pamundësuan konstituimin e Kuvendit
Ministri në detyrë, Faton Peci, tani deputet i zgjedhur në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se konstituimin e Kuvendit të Kosovës e pamundësuan Lista Serbe dhe partitë opozitare shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
“Kjo është një rrethanë e re që në aspektin kushtetues dhe ligjor dhe të rregullores së punës së Kuvendit nuk është e paraparë dhe e definuar dhe, rrjedhimisht, kryesuesi i seancës së sotme ka vendosur që për një situatë të tillë të re, t’i drejtohet Presidentes së Kosovës”, tha Peci pas ndërprerjes së seancës.
Peci tha se tani është në diskrecionin e presidentes Vjosa Osmani të kthej një përgjigje ose t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Dehari ndërpret seancën konstituive
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, pas një pauze të shkurtër ka ndërprerë seancën, për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.
“Në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën dhe me një letër të njoftojmë presidenten se si do të veprohet në të ardhmen”, tha ai.
Kurti jep dorëheqje nga posti i kryeministrit
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, në mënyrë që të mund të bëjë betimin si deputet i legjislaturës së nëntë.
Dorëheqje kanë dhënë edhe anëtarët e tjerë të Qeverisë në detyrë të Kosovës, që janë zgjedhur deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Zemaj: Votova kundër pasi u vonua dëshmia për dorëheqjen kryeministrit dhe ministrave
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, njëherësh i caktuar në Komisionin për verifikim të mandateve, tha se votoi kundër raportit për shkak se e morën me vonesë dokumentacionin për dorëheqjen e kryeministrit dhe ministrave.
“Nuk është shpërndarë dokumentacioni me kohë sa i përket aktit të dorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave të cilët janë zgjedhur si deputetë”, deklaroi Zemaj.
Zemaj tha se nuk përkrahën raportin e Komisionit pasi sic tha ai, ekzistonte rreziku se ish-kryeministri Albin Kurti, do të mund të kthej sërish në zyrën e kryeministrit në objektin e Qeverisë.
Kjo sipas Zemajt do të paraqiste shkelje kushtetuese.