Ndërlidhjet

Kuvendi e miraton në lexim të parë projektligjin për shëndetin riprodhues


Kuvendi i Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Kuvendi i Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të mërkurën në lexim të parë një projektligj për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar, i njohur si IVF, pas shumë përpjekjeve.

Projektligji i mori votat e shumicës dërrmuese të 63 deputetëve të pranishëm në seancë, derisa një deputet votoi kundër dhe katër të tjerë abstenuan.

Ai duhet të votohet edhe në lexim të dytë për t’u bërë ligj.

Ky legjislacion ua mundëson edhe grave të pamartuara të mund të lindin fëmijë përmes metodës IVF në klinikat publike.

Projektligji ishte kundërshtuar ashpër nga një pjesë e deputetëve.

Sipas projektligjit, të drejtën e shfrytëzimit të IVF-së e kanë edhe gratë e pamartuara, mbi 18 vjeç, që janë në gjendje të mirë shëndetësore e sociale dhe janë të afta “për fertilizim dhe për përkujdesje prindërore”.

Kosova synon që të ketë një repart të posaçëm për IVF-në në Qendrën Klinike Universitare (QKUK). Për pajisjet e nevojshme për këtë repart, Ministria e Shëndetësisë ka ndarë 1.5 milion euro.

Në fund të shtatorit, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se kishte dështuar një tendër për ta pajisur repartin e IVF-së në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Aktualisht, kjo metodë kryhet vetëm në institucionet private.

Në Klinikën e Gjinekologjisë, në kuadër të së cilës do të jetë reparti i IVF-së, po presin pajisjet për këtë metodë mjekësore. Punimet në infrastrukturë për repartin e ri veçse janë kryer.

IVF-ja është një metodë fertiliteti, së cilës i nënshtrohen personat që nuk mund të lindin fëmijë në mënyrë natyrale.

Përmes kësaj procedure, ekipi mjekësor heq vezët nga vezoret e një gruaje dhe më pas i fekondon ato me spermë në laborator. Embrionit të fekonduar i jepen disa ditë për t’u rritur dhe më pas ai vendoset në mitrën e gruas. Procesi zakonisht zgjat katër deri në gjashtë javë.

Por, as kjo metodë nuk është 100 për qind e suksesshme.

XS
SM
MD
LG