Ndërlidhjet

Ndalohet një person lidhur me laboratorin për falsifikimin e dokumenteve  

Dokumente të ndryshme që u gjetën në një shtëpi në Veternik më 2025, që sipas autoriteteve shërbeu si laborator i sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.
Dokumente të ndryshme që u gjetën në një shtëpi në Veternik më 2025, që sipas autoriteteve shërbeu si laborator i sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se ka ndaluar për 48 orë një person, të identifikuar me iniciale B.K., lidhur me zbulimin e një laboratori për falsifikimin e dokumenteve më 2025.

“I pandehuri B.K. dyshohet për kryerjen e veprave penale: ‘Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’ dhe ‘Falsifikimi i dokumentit’”, tha Prokuroria Speciale, duke shtuar se do të parashtrojë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit.

Ndalimi i tij lidhet me rastin e zbulimit të një shtëpie në Veternik të Prishtinës më 28 janar të vitit 2025. Autoritetet në atë kohë thanë se ajo kishte shërbyer si laborator i sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, përfshirë pasaportat, kartat e identitetit dhe patentë shoferët.

Shtëpia u zbulua pasi më 24 janar, Policia e kishte ndaluar një automjete ku ishin gjetur dokumente të zbrazëta të shteteve të ndryshme të botës. Shoferi, me inicialet F.K. ishte arrestuar, teksa në shtëpi ishin gjetur makina laserike, printerë, më shumë se 20.000 mikroçipa dhe mijëra dokumente nga 51 shtete të ndryshme të botës.

Lidhur me këtë rast, më pas në prill të vitit 2023 ishte arrestuar SH.E. që dyshohet se i përket të njëjtit grup që falsifikonte dokumente.

Lidhur me këtë arrestim, autoritetet në atë kohë thanë se janë koordinuar me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë EUROPOL-in.

Në tetor, ndërkaq, një person u ndalua në pikën kufitare Bërnjak – që lidh Kosovën me Serbinë – nën dyshimet për falsifikim të dokumenteve dhe pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal. Në atë kohë, Prokuroria Speciale tha se edhe V.E. dyshohet se i përket po të njëjtit grup që falsifikonte dokumente.

Pas arrestimeve në Kosovë, më 22 tetor, Mbretëria e Bashkuar kishte njoftuar për sanksione ndaj të ashtuquajturit “Rrjeti Krasniqi”, që tha se është një nga bandat kriminale nga Ballkani Perëndimor. Londra tha se dokumentet e falsifikuara nga ky rrjet dhe banda të tjera në rajon më pas ishin përdorur për trafikim të njerëzve.

Në mesin e të sanksionuarve nga Mbretëria e Bashkuar janë: Burim Krasniqi, që u përshkrua si udhëheqës i Rrjetit Krasniqi; Arif Krasniqi, që u tha se ishte ndërmjetës i grupit që siguronte klientë për shërbimet e tyre; Flamur Krasniqi, anëtar i grupit të cilit iu gjetën në posedim dokumente të falsifikuara; Valon Krasniqi, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; Sami Duriqi, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve false; Granit Avdyli, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve dhe reklamimit të shërbimeve të grupit; Nexhmie Selmani, e cila, sipas Mbretërisë së Bashkuar, kishte ofruar objektin që ka përdorur grupi për të falsifikuar dokumente dhe po ashtu është përfshirë në ofrimin e pajisjeve për falsifikim; Endrit Emerllahu, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; si dhe Shembim Emerllahu, anëtar i grupit të cilit iu gjetën dokumente të falsifikuara.

Pas njoftimit të Mbretërisë së Bashkuar, autoritetet e drejtësisë në Kosovë, deklaruan se po e trajtonin këtë rast “me prioritet”.

​
XS
SM
MD
LG