Ndërlidhjet

Lajçak takohet me Vuçiqin në Beograd


Emisari evropian, Mirosllav Lajçak, gjatë takimit në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. 5 korrik 2023.
Emisari evropian, Mirosllav Lajçak, gjatë takimit në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. 5 korrik 2023.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është takuar në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në përpjekje për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, emisari evropian tha se takimi me Vuçiqin dhe udhëtimi "ndihmuan për të qartësuar hapat e ardhshëm".

"Ne zhvilluam një bisedë të sinqertë dhe të hapur për rrugën përpara, duke përfshirë nevojën për zgjedhje të reja lokale me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe kthimin në dialog", shkroi Lajçak.

Vuçiq tha përmes një postimi në Instagram se me emisarin evropian ka biseduar për situatën në Kosovë, për mënyrat se si të ulen tensionet në terren dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja.

“I kam bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të angazhohet në mënyrë më konkrete për të gjitha këto çështje”, tha Vuçiq.

Lajçak po qëndron në Beograd një ditë pasi vizitoi Prishtinën ku u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.

Pas takimit me Kurtin, Lajçak deklaroi se ka mirëkuptim për të çuar përpara kërkesat e BE-së, por se “ende duhet të vazhdojmë diskutimet për hapa konkretë”.

Kërkesat e BE-së për Kosovën dhe Serbinë

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, më 22 qershor ka paraqitur kërkesat e bllokut evropian për Kosovën dhe Serbinë, lidhur me shtensionimin e situatës në veri:

  • Kosovës i kërkohet që menjëherë të pezullojë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri dhe që katër kryetarët komunalë përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative
  • Serbisë i kërkohet të sigurojë që protestuesit të tërhiqen nga ndërtesat komunale paralelisht me tërheqjen e Policisë së Kosovës
  • Të dyja shteteve u kërkohet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme lokale, sa më shpejt që të jetë e mundur, në katër komunat në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në to

Në të kaluarën, Beogradi ka luajtur rol kyç në pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e organizuara në Kosovë

Për shkak të mospërmbushjes së tri kërkesave të parashtruara, BE-ja që nga fundi i qershorit ka nisur të zbatojë disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Lajçak nuk ka dashur të komentojë masat ndëshkuese që blloku evropian i ka vendosur ndaj Kosovës, por bëri të ditur se BE-ja i ka gati sanksionet edhe për Serbinë.

"BE-ja e ka bërë të qartë se i ka sanksionet gati për Serbinë dhe ato do të zbatohen nëse vendet anëtare vendosin që Serbia nuk i bindet BE-së. Ky është vendim i shteteve anëtare”, tha Lajçak.

Që nga fundi i majit, serbët po protestojnë në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, duke kundërshtuar që kryetarët e rinj shqiptarë të punojnë nga ndërtesat komunale. Banorët lokalë serbë po ashtu po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave.

Bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht po kërkon nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe në veri të mbahen zgjedhje të reja lokale.

XS
SM
MD
LG