Ndërlidhjet

Lavrov viziton Iranin për të diskutuar për marrëveshjen bërthamore


Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, mbërriti në Iran të mërkurën, derisa fuqitë botërore dhe Teherani po luftojnë për të ringjallur paktin e tyre bërthamor të vitit 2015, ndërsa negociatat kanë ngecur.

Ministria e Jashtme e Rusisë postoi një video të fjalimit hapës të Lavrovit gjatë një takimi me presidentin e Iranit, Ebrahim Raisi, në të cilin ai tha se Moska po përshtatej me ato që ai i quajti politika agresive të Perëndimit.

"Në të gjitha vendet që përjetojnë ndikimin negativ të linjës egoiste të marrë nga Shtetet e Bashkuara dhe satelitët e saj, lind nevoja objektive për të rikonfiguruar marrëdhëniet e tyre ekonomike në mënyrë që ata të shmangin mbështetjen në tekat e partnerëve tanë perëndimorë", tha Lavrov.

Muajin e kaluar Moska tha se Rusia dhe Irani, të cilat janë nën sanksionet perëndimore, kryesisht të vendosura në disa nga rezervat më të mëdha të naftës dhe gazit në botë, kishin diskutuar shkëmbimin e furnizimeve me naftë dhe gaz, si dhe krijimin e një qendre logjistike.

Derisa Moska po sfidon sanksionet perëndimore shkaku i luftës mbi Ukrainën, sundimtarët klerikë të Teheranit kanë luftuar për të mbajtur ekonominë e Iranit në këmbë për shkak të sanksioneve të SHBA-së që u rivendosën pasi Uashingtoni doli nga marrëveshja bërthamore e Teheranit në 2018.

"Gjatë vizitës së Lavrovit, do të diskutohet për marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015, për nxitjen e bashkëpunimit dypalësh dhe atë energjetik, si dhe për çështjet ndërkombëtare dhe rajonale", njoftuan mediat shtetërore iraniane.

Televizioni shtetëror iranian tregoi se Lavrov do të takohej me Raisin, por nuk dha detaje. Ministria e Jashtme iraniane tha të hënën se vizita e Lavrovit kishte për qëllim "zgjerimin e bashkëpunimit me rajonin euroaziatik dhe Kaukazin".

Bisedimet indirekte ndërmjet Teheranit dhe administratës së presidentit të SHBA-së, Joe Biden, për të rivendosur paktin janë pezulluar që nga marsi, kryesisht për shkak të këmbënguljes së Teheranit që Uashingtoni të heqë Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike nga lista e SHBA-së e organizatave të terroriste.

Agjencia shtetërore e lajmeve iraniane IRNA tha se Lavrovi do të takohet me homologun e tij iranian, Hossein Amirabdollahian, të enjten.

XS
SM
MD
LG