Ndërlidhjet

Opozita kritikon Qeverinë për “çarjen” e raporteve me SHBA-në


Ushtarët e KFOR-it në Zveçan, më 30 maj 2023.
Ushtarët e KFOR-it në Zveçan, më 30 maj 2023.

Pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndërprerë stërvitjet e përbashkëta ushtarake “Defender Europe 2023” që ishin duke u mbajtur në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës në opoiztë ka thënë se “Qeveria po bie në grackën e Serbisë”.

“Reagimet e shteteve mike, kundër institucioneve të Kosovës, reagimet e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, BE-së e vetë NATO-s, dëshmojnë pozicionin e rëndë diplomatik e strategjik, në të cilin gjendet Kosova. Në një pozicion të tillë Kosova nuk është gjendur asnjëherë më parë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Kjo parti ka shprehur shqetësim karshi Qeverisë të Kosovës dhe ka kritikuar mungesën e koordinimit me aleatët ndërkombëtarë, dhe i ka bërë asaj thirrje që të zgjedhë “të ardhmen euroatlantike dhe maturinë politike para populizmit afatshkurtër”.

“Në vend të euforisë së grupeve partiake, [Qeveria] të zgjedhë rrugëtimin e vendosur euroatlantik të shtetit bashkë me aleatët”, ka thënë LDK-ja dhe ka nënvizuar se “devijimi nga një ecje e tillë është devijim nga vetë rrugëtimi euroatlantik, siç dhe është shërbim ndaj vetë kundërshtarit të shtetit tonë”.

Kjo parti, e treta më e madhja në Kosovë, ka thënë se nuk do të lejojë me “asnjë çmim, asnjë politikan e asnjë Qeveri, t'i rrezikojë themelet e shtetësisë”.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani duke thënë se “për më pak se tre vjet në pushtet, nuk kanë lënë sukses pa e kthyer përmbys”.

“Ata për kaq pak kohë e kanë kthyer Kosovën dhjetë vjet mbrapa”, shkroi Haradinaj.

Reagimi i tij pasoi vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndërprerë stërvitjet e përbashkëta ushtarake “Defender Europe 2023” që ishin duke u mbajtur në Kosovë.

“Përjashtimi i Kosovës nga ushtrimi i NATO-s ‘Defender Europe 2023’ është alarm për sigurinë tonë nacionale. Duhet të jesh shumë dritëshkurtër që në këtë kohë kaq delikate, të armiqësohesh me krejt botën demokratike”, ka thënë ai.

Haradinaj në postimin e tij ka kërkuar që kryeministri Kurti të japë dorëheqje duke thënë se ai “nuk mund ta ndryshojë orientimin Kosovës dhe të popullit të saj”.

Edhe Partia Demokratik e Kosovës (PDK) ka shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit. Në reagimin e saj PDK-ja ka thënë se kryeministri Kurti po i rrezikon raportet e Kosovës me SHBA-në dhe ka kërkuar nga ai të “ndryshojë urgjentisht qasjen dhe pozicionin e tij”.

Për PDK-në, largimi i “Defender Europe 2023” nga Kosova është shenjë konkrete e përkeqësimit të raporteve të Kosovës me SHBA-në dhe NATO-n.

“Është paralajmërim për pasoja të tjera, nëse Qeveria e Republikës së Kosovës nuk fillon të sillet në mënyrë të përgjegjshme”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Nga kjo parti i ka bërë thirrje edhe njëherë presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti që ta mbledhin Këshillin e Sigurisë së Kosovës, pasi sipas vlerësimit të tyre, “situata e krijuar kërkon qasje të përgjegjshme të institucioneve të Kosovës e jo veprime populiste të momentit që mund të sjellin pasoja afatgjata për të ardhmen e vendit”.

Më herët, gjatë ditës, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: "stërvitjet 'Defender Europe 2023' kanë marrë fund për të".

Hovenier i bëri komentet në një takim me një grup gazetarësh në Prishtinë.

Ai iu referua vendimit të Qeverisë së Kosovës për t'i instaluar me forcë kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të vendit - Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - përkundër rezistencës së vazhdueshme të banorëve lokalë, që rezultoi në dhunë.

“Kur kemi marrë vesh, kemi reaguar ashpër kundër. Vendimi [i Qeverisë] ka pasur ndikim negativ në reputacionin e Kosovës dhe i ka kthyer mbrapsht përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Hovenier.

Ai citoi sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili paralajmëroi se këto veprime do të ndikojnë në marrëdhëniet SHBA-Kosovë, dhe tha se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet "Defender Europe 2023" është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës në këtë drejtim.

Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar ashpër “hyrjen me forcë” të kryetarëve të rinj komunalë dhe ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës të shtensionojnë menjëherë situatën.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më 30 maj kërkoi nga Kosova që të pezullojë operacionet policore rreth ndërtesave komunale në veri, në mënyrë që, sipas tij, të ulen tensionet në këtë pjesë.

Paraprakisht, Qeveria e Kosovë ka mbrojtur vendimin e saj për të çuar kryetarët e rinj në ndërtesat komunale, teksa për dhunën në Zveçan ka fajësuar Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste”.

XS
SM
MD
LG