Ndërlidhjet

Çfarë janë “Letrat e Facebook-ut”?


Logoja e Facebook, Instagram dhe Whatsapp
Logoja e Facebook, Instagram dhe Whatsapp

Shtatëmbëdhjetë media amerikane, duke përfshirë edhe Associated Press, janë bërë bashkë në projektin “Letrat e Facebook-ut”. Gazetarë të shumtë nga media të vogla e të mëdha kanë punuar së bashku për të pasur qasje në mijëra dokumente të brendshme të kompanisë Facebook, të cilat janë siguruar nga ish-menaxherja e produkteve në këtë kompani, Frances Haugen, e cila së fundmi është kthyer në sinjalizuese.

Edhe një grup i mediave evropiane kanë pasur qasje në të njëjtat dokumente, dhe bashkë me ato amerikane filluan publikimin e përmbajtjes së tyre më 25 tetor.

Kjo datë u caktua me qëllimin që të gjithë pjesëmarrësit të analizojnë plotësisht dokumentet dhe të raportojnë detajet që mund të jenë relevante dhe që t’iu mundësojnë zyrtarëve të Facebook-ut të kenë kohë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur pyetjeve që mund t’iu bëhen në lidhje me këto raportime.

Anëtarët e këtij konsorciumi të mediave raportuan në mënyrë të pavarur për përmbajtjen e dokumenteve.

Çdo anëtarit iu ofrua gjithashtu mundësia të merrte pjesë në takimet e grupeve për të pasur më shumë informacione rreth përmbajtjes së dokumenteve.

Projekti “Letrat e Facebook” pason raportimin e The Wall Street Journal, me burime nga të njëjtat dokumente, si dhe paraqitjen e Haugen në emisionin televiziv CBS "60 Minutes" dhe dëshminë e saj më 5 tetor në një nënkomitet të Senatit të Shteteve të Bashkuara.

Dokumentet janë versione të redaktuara që ish-punëtorja Haugen i ka ofruar Komisionit të Fondeve dhe Këmbimeve.

Ajo ka pretenduar se Facebook-u i ka dhënë përparësi përfitimit para sigurisë së përdoruesve dhe se ka fshehur të dhënat nga investitorët dhe publiku.

Ky Komision amerikan është një agjenci e madhe e pavarur e qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara qëllimi kryesor i së cilës është të zbatojë ligjin kundër manipulimit të tregut.

Rrjedhja e dokumenteve përfshinë një gamë të gjerë ankesash ndaj Facebook-ut, duke filluar nga përpjekjet për rritjen e audiencës, deri tek të dhënat sesi platformat e kësaj kompanie mund të dëmtojnë fëmijët. Aty përfshihen edhe pretendimet për rolin e Facebook në nxitjen e dhunës politike.

Të njëjtat versione të redaktuara të këtyre dosjeve po u ofrohen edhe ligjvënësve të Kongresit amerikan si pjesë e një hetimi.

Kongresi po vazhdon të furnizohet me dokumente, pasi ekipi ligjor i ish-punonjëses Haugen po i redakton dosjet duke hequr emrat e përdoruesve dhe punonjësve të nivelit më të ulët.

Konsorciumi "Letrat e Facebook-ut" do të vazhdojë të raportojë për këto dokumente pasi të bëhen të disponueshme në ditët dhe javët në vijim.

"AP i bashkohet rregullisht organizatave të tjera të lajmeve për t’i ofruar botës gazetari të rëndësishme", tha Julie Pace, zëvendëspresidente dhe kryeredaktore e AP.

“Ap ruan pavarësinë editoriale dhe Projekti Facebook Papers është në përputhje me këtë mision”, tha ajo.

Çfarë u raportua?

AP ka raportuar se mijëra faqe të dokumenteve që i janë ofruar Kongresit flasin se Facebook është një kompani me konflikt të brendshëm, pasi të dhënat për dëmet që shkakton janë të shumta, por zgjidhjet dhe vullneti për të reaguar po ndalet.

Facebook mbase ka probleme edhe me kontrollin e përmbajtjes. Në ndër shembujt është se gjatë luftimeve në Gaza dhe tensioneve në të gjithë Lindjen e Mesme në muajin maj, Instagram ndaloi shkurtimisht hashtagun #AlAqsa, një referencë për Xhaminë Al-Aksa në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, një pikë kyçe konfliktit.

Facebook, i cili ka në pronësi Instagramin, më vonë kërkoi falje, duke shpjeguar se algoritmet e tij kishin ngatërruar faqen me grupin militant Brigada e Martirëve Al-Aksa, një degë e armatosur e partisë Fatah.

Për shumë përdorues që flasin arabisht, ky ishte vetëm një shembull më i fundit i fuqishëm se si gjiganti i mediave sociale pengon fjalimin politik në rajon.

Frances Haugen, ish-punonjëse e Facebook.
Frances Haugen, ish-punonjëse e Facebook.

Tani, dokumentet e brendshme të kompanisë nga ish-menaxherja e produkteve të Facebook, e kthyer në sinjalizues, Frances Haugen, tregojnë se problemet janë shumë më sistemike sesa vetëm disa gabime të pafajshme, dhe se Facebook-u e ka kuptuar rëndësinë e këtyre dështimeve për vite me radhë, ndërkohë që ka bërë pak për të zgjidhur ato.

Gabime të tilla nuk kufizohen vetëm në gjuhën arabe.

Dosjet zbulojnë se në disa nga rajonet më të paqëndrueshme të botës, përmbajtja terroriste dhe gjuha e urrejtjes shtohen sepse kompania nuk ka moderatorë që flasin gjuhët lokale dhe të cilët kuptojnë kontekstet kulturore.

Platformat e saj kanë dështuar në zhvillimin e zgjidhjeve të inteligjencës artificiale që mund të njohin përmbajtjen e dëmshme në gjuhë të ndryshme.

Përshembull këto mangësi në algoritme kanë mundësuar që në vende si Afganistani dhe Mianmari (Burma), gjuha nxitëse të lulëzojë, ndërsa në Siri dhe territoret palestineze, Facebook ndalon edhe fjalët e zakonshme.

"Problemi thelbësor është se kjo platformë nuk u ndërtua kurrë me qëllimin që një ditë të jetë ndërmjetësuse e përmbajtjes politike të të gjithë botës", tha Eliza Campbell, drejtore e Programit Kibernetik të Institutit të Lindjes së Mesme.

Dokumentet tregojnë se punonjësit e Facebook-ut nuk mund të shtypnin retorikën anti-myslimane nga grupi nacionalist hindu i ekstremit të djathtë të kryeministrit të Indisë, Narendra Modi.

Në dokumente thuhet se kompania kishte zbuluar se përdoruesit e lidhur me partinë e Modit kishin krijuar llogari të shumta për të nxitur përhapjen e përmbajtjes islamofobike.

Hulumtimi zbuloi se ndaj pjesës më të madhe të kësaj përmbajtjeje nuk u veprua sepse Facebook-ut i mungonin moderatorë dhe filtra të automatizuar që njihnin gjuhën lokale.

Dokumentet zbulojnë gjithashtu se Facebook po e humb vëmendjen ndaj demografisë së saj më të rëndësishme - adoleshentëve dhe të rinjve duke mos pasur një plan të qartë për rikthimin e tyre.

Të rinjtë angazhohen me Facebook-un shumë më pak se më të moshuarit, pasi e shohin atë si një "rrjet të vjetëruar" me "përmbajtje të parëndësishme", sipas një dokumenti të brendshëm të nëntorit të vitit 2020.

Me fjalë të tjera, të rinjtë e shohin Facebook-un si një vend për të moshuarit.

Studiuesit e kësaj kompanie thonë se nëse Facebook-u nuk mund të gjejë një mënyrë për të kthyer këto grupmosha, popullsia e tij do të vazhdojë të plaket dhe të rinjtë do të gjejnë edhe më pak arsye për t'u regjistruar.

Facebook-u thotë se produktet e tij përdoren ende gjerësisht nga adoleshentët, megjithëse pranon se ka "konkurencë të ashpër" nga TikTok, Snapchat dhe të ngjashme.

"Ne nuk e kemi dhe nuk kemi prioritet angazhimin mbi sigurinë", i tha Associated Press këtë muaj Monika Bickert, kreu i menaxhimit të politikave globale të Facebook, pas dëshmisë në Kongres nga informatorja dhe ish-punonjësja e Facebook, Frances Haugen.

Gjatë dëshmisë së saj në fillim të tetorit në Kongresin amerikan, Frances Haugen, u tha ligjvënësve se aplikacionet e kësaj platforme “dëmtojnë fëmijët, krijojnë ndasi dhe zbehin demokracinë”.

Haugen, 37-vjeçare, ka thënë se kompania vazhdimisht ka pasur më shumë prioritet fitimet sesa shëndetin mendor të përdoruesve.

“Udhëheqësia e kompanisë e di si ta bëjë Facebook-un dhe Instagram-in më të sigurt, mirëpo nuk bën ndryshimet e nevojshme sepse ata kanë bërë prioritet fitimet astronomike para njerëzve”, ka thënë ajo.

Facebook ka dënuar akuzat e saj, duke mbrojtur politikat e sigurisë. Kompania ka thënë se këto pretendime nuk janë të vërteta dhe nuk ka të dhëna për t’i mbështetur ato. Facebook gjithashtu ka thënë se dokumentet e publikuara kanë qenë mashtruese dhe kanë vënë në hije hulumtimet pozitive të kryera nga kompania.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG