Ndërlidhjet

Libani nën alarm pas zotimit të Izraelit për përgjigje “të ashpër” ndaj Hezbollahut


Jugu i Libanit, zona ku Hezbollahu dhe ushtria izraelite shkëmbejnë vazhdimisht sulme raketore.
Jugu i Libanit, zona ku Hezbollahu dhe ushtria izraelite shkëmbejnë vazhdimisht sulme raketore.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar të hënën për përgjigje “të ashpër”, pas sulmit vdekjeprurës që ka lënë të vrarë 12 fëmijë në Lartësitë e pushtuara të Golanit, teksa diplomatët po bëjnë përpjekje për të shmangur një përshkallëzim tensionesh mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Pas një vizite në vendin ku ka ndodhur sulmi i së dielës, Nentayahu ka thënë se “shteti i Izraelit nuk mund të lejojë kalimin e kësaj. Përgjigjja jonë do të vijë, dhe do të jetë shumë e ashpër”.

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara e kanë fajësuar Hezbollahun për këtë sulm, i cili ka nisur sulme pothuajse çdo ditë kundër Izraelit, prej kur ka nisur lufta e Izraelit në Gazë, në tetor të vitit të kaluar.

Hezbollahu është grup i Libanit dhe përkrah Hamasin në Gazë.

Si Hezbollahu, ashtu edhe Hamasi, gëzojnë përkrahjen e Iranit, por janë grupe të shpallur terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe fuqive tjera.

Ministri i Jashtëm i Libanit, Abdallah Bou Habib, ka thënë se po bën përpjekje diplomatike për të zvogëluar përgjigjen e pritur izraelite.

“Izraeli do të mund të përshkallëzojë situatën në mënyrë të kufizuar dhe Hezbollahu do të veprojë njëjtë. Këto janë garancitë që kemi marrë”, ka thënë Bou Habib në një intervistë.

Shumë analistë tjerë kanë thënë se ky është skenari më i mundshëm, pasi Izraeli mund të rëndohet shumë nëse lufton në dy fronte.

Shtetet e Bashkuara, Franca, dhe vende tjera është thënë se po bëjnë, gjithashtu, përpjekje që të shmangin një përshkallëzim të situatës.

Zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare në Shtetet e Bashkuara, John Kirby, ka thënë se beson shumë që mund të shmanget një luftë më e madhe.

Presidenti i ri iranian, Masoud Pezeshkian, e ka paralajmëruar Izraelin kundër sulmeve ndaj Libanit, duke thënë se një veprim asisoj do të ishte “gabim i madh me pasoja të rënda”.

Hezbollahu ka thënë se nuk është përgjegjës për sulmin me raketë në Lartësitë e Golanit, ndonëse grupi ka thënë atë ditë se ka kryer disa sulme kundër pozicioneve izraelite në atë pjesë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG