Ndërlidhjet

Liderët e Ballkanit Perëndimor mblidhen në Bruksel


Flamujt e BE-së.
Flamujt e BE-së.

Të martën në Bruksel do të mblidhen liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një darkë pune, të thirrur nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell.

Por ndryshe nga takimi i një dite më parë në Brdo të Sllovenisë, në takimin e Brukselit kryesisht do të jenë kryeministrat e vendeve të rajonit, me përjashtim të Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës.

Në takim do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ai i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq dhe kryesuesi i radhës i presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës Millorad Dodik.

Sipas paralajmërimeve, në Bruksel ky takim do të shërbejë për të diskutuar “në mënyrë të hapur” për zhvillimet e fundit në rajon, procesin e zgjerimit, çështjet gjeostrategjike dhe forcimin e bashkëpunimit në rajon si dhe raporteve mes rajonit e BE-së.

Edhe pse në disa media të Kosovës ka pasur spekulime se në këtë vizitë do të realizohet takimi i parë mes kryeministrit te Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, kjo nuk do të ndodhë.

Sipas burimeve të BE-së, një takim i tillë asnjëherë nuk ishte planifikuar për këtë ditë, dhe nga ana tjetër, Vuçiq fare nuk do të marrë pjesë në këtë darkë pune, pasi Serbia do të përfaqësohet nga kryeministrja Bërnabiq.

Kjo është hera e dytë që kryeministri i Kosovës Kurti shkon në Bruksel, prej kur ka marrë mandatin në krye të qeverisë.

Herën e kaluar ai ishte në një vizitë për të takuar zyrtarë të institucioneve të BE-së dhe Belgjikës ndërsa tani është pjesëmarrës në një darkë të përbashkët me liderët e vendeve tjera të rajonit.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë pritet të ndodhë para datës 22 qershor, dhe në këtë mënyrë të shënohet edhe rifillimi i dialogut.

Megjithatë, ende nuk është konfirmuar asgjë në këtë drejtim.

XS
SM
MD
LG