Ndërlidhjet

Tsikhanouskaya: E di se mund të zhdukem çdo moment


Liderja opozitare bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya në Londër. 3 gusht 2021.
Liderja opozitare bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya në Londër. 3 gusht 2021.

Liderja opozitare bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya, ka thënë se e kupton që “mund të zhduket në çdo moment”, si rezultat i rezistencës ndaj Alyaksandr Lukashenkas, mirëpo beson se lëvizja e saj kundër regjimit të tij “do të vazhdojë” edhe pa të.

Tsikhanouskaya, e cila e konsideron veten fituese të zgjedhjeve të kontestueshme të gushtit të vitit të kaluar, përmes së cilave Lukashenka ka fituar një mandat të gjashtë në pushtet, i ka bërë këto komente më 3 gusht, pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin britanik, Boris Johnson në Londër.

Kur është pyetur për vdekjen e aktivistit bjellorus, Vital Shyshou, në Kiev, pas së cilës janë ngjallur dyshimet se mund të jenë autoritetet bjelloruse, Tsikhanouskaya ka thënë se nuk do të deklarohet derisa të shohë rezultatet e hetimeve zyrtare që do të kryhen në Ukrainë.

Mirëpo duke aluduar në shtypjen brutale që u ka bërë Lukashenka disidentëve prej zgjedhjeve të kaluara, ajo ka thënë se “është dhimbje kur populli bjellorus kidnapohet apo vritet nga miqtë e regjimit”.

Liderja opozitare 38-vjeçare, e cila është larguar nga Bjellorusia, pas shqetësimeve për sigurinë e saj, ka thënë se e di që mund të jetë caku i radhës.

“E kuptoj se mund të zhdukem çdo moment”, ka thënë ajo.

“Mirëpo duhet ta bëj atë që po bëj, nuk mund të ndalem sepse ndjej përgjegjësi për të ardhmen e shtetit tim. Është e njëjta gjë sikurse të gjithë bjellorusët që janë duke luftuar në këtë moment. Mirëpo e di që edhe nëse zhdukem një ditë, lëvizja do të vazhdojë edhe pa mua”.

Tsikhanouskaya ka thënë se pas gati një viti të protestave, ajo ende beson se tranzicioni paqësor nga regjimi i Lukashenkas, mund t’i japë fund “ferrit” të bjellorusëve.

“Unë absolutisht besoj në tranzicion jo të dhunshëm të pushtetit”, i ka thënë ajo agjencisë së lajmeve Reuters, pasi ka takuar diasporën bjelloruse në Angli.

Dhjetëra mijëra persona që kanë protestuar kundër Qeverisë, janë ndaluar brenda një viti në Bjellorusi, ndërkohë që disa figura opozitare janë detyruar të ikin nga shteti.

Mediat dhe grupe të shoqërisë civile janë shënjestruar po ashtu përmes bastisjeve dhe arrestimeve.

XS
SM
MD
LG