Ndërlidhjet

Të paktën 22 ligje që rregullojnë fushën dhe funksionimin e shëndetësisë, janë miratuar viteve të fundit nga Kuvendi i Kosovës.

Por, sikurse edhe në fushat tjera, sfidë më vete mbetet zbatimi i ligjeve.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se ligjet po zbatohen në një masë të kënaqshme, por sindikalistët e shëndetësisë e thonë të kundërtën. Sipas këtyre të fundit, ligjet po miratohen pa u kalkuluar implikimet buxhetore dhe më pas ato po mbesin vetëm në letër.

Në anën tjetër, zyrtarë nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut thonë se ligjet në Kosovë janë të standardeve evropiane, por buxheti i Kosovës nuk e mbulon zbatimin e plotë të tyre.

Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë thotë për Radion Evropa e Lirë se përveç implikimeve buxhetore të paparapara për zbatim të ligjit, është edhe faktori njeri që ndikon në moszbatimin e plotë të tyre.

“Sa u përket ligjeve, ato janë të aprovuara vite më parë, por që shumë nga to, në të shumtën e rasteve nuk janë të zbatueshme në praktikë. Andaj kjo e dëmton funksionalizmin e shëndetësisë si duhet”.

“Disa ligje, po e marr shembull atë të Odave të Profesionistëve Shëndetësorë, nuk funksionojnë si duhet, pikërisht për shkak të tekeve të individëve të caktuar. Ndryshe, ligjet nuk kanë të bëjnë me politikën, por politika po ndërhyn në ligje. Pas aprovimit po ndërhyn politika dhe po i dëmton në masë të madhe”, vlerëson Syla.

Ndërkaq, Afërdita Hoxha, zyrtare ligjore në Ministrinë e Shëndetësisë,bën të ditur se është mungesa e buxhetit dhe e resurseve humane ajo që ndikon në moszbatimin e plotë të disa ligjeve. Megjithatë, ajo thotë po ashtu, se nuk janë të gjitha ligjet të pazbatueshme, pasi që disa prej tyre zbatohen në tërësi.

“Në përgjithësi, ligjet që janë në fuqi zbatohen, por disa nga to për shkak të kostos dhe resurseve humane, nuk aplikohen. Për shembull, Ligji për Sigurime Shëndetësore për shkak të mungesës së resurseve humane dhe ngritjes së kapaciteteve, e që është në fazë Ministria e Shëndetësisë nuk është e gatshme, tash për tash të zbatohet”, thotë Hoxha.

Sipas saj, një gjendje e tillë pa dyshim që mund të ketë implikime negative te qytetarët, pasi nuk ofrohen shërbime adekuate shëndetësore.

Ndërkaq, Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se ligjet që miratohen nga Kuvendi i Kosovës, janë në harmoni me ato të Bashkimit Evropian. Por, buxheti i Kosovës është ende shumë i ulët për t’i zbatuar ato.

“Realisht, çdo ligj që miratohet, duhet ta ketë edhe koston financiare. Dhe, kryesisht, ligjet tona u përmbahen standardeve të Bashkimit Evropian dhe këtu qëndron hendeku i madh i asaj që ligjet miratohen dhe nuk mund të implementohen”.

“E ka të pamundur Kosova t’i mbulojë këto ligje, pasi buxheti është më shumë social dhe zbatimi i ligjeve është i imponuar nga buxheti e që s’ka garanci që mund t’i financojë këto ligje. Këtu po shfaqen probleme dhe çdo qeveri dhe ministra po mundohen t’ua lënë barrën ministrave paraprak. Jo pse ata nuk duan t’i zbatojnë ligjet, por nuk po mund t’i zbatojnë”, thekson Shala.

Sidoqoftë edhe zyrtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë, ligjet në fushën e shëndetësisë, që janë hartuar viteve të fundit, i kanë cilësuar si një bazë e mirë në reformën e mëtutjeshme shëndetësore, por kanë vlerësuar se zbatimi i tyre është vënë në pikëpyetje.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG