Ndërlidhjet

Ligjet që i mungojnë Kosovës


Kuvendi i Kosovës, 7 shtator

Ligjet që kanë të bëjnë me integrimet evropiane dhe ato për sistemin e drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit, konsiderohen si më të rëndësishmet që duhet të miratohen nga Kuvendi i Kosovës brenda një periudhe sa më të shpejtë kohore. Kështu të paktën thonë disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, ndonëse legjislatura e re, e konstituuar më 7 shtator, ende nuk ka mbajtur asnjë seancë të rregullt plenare.

Albulena Haxhiu, deputete në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë se ka shumë ligje që kanë mbetur pa u miratuar nga legjislatura e kaluar.

Pas përfundimit të mandatit të Kuvendit të kaluar, të njëjtat ligje kthehen në pikën zero, ndërkohë që ka edhe shumë ligje tjera që janë në pritje dhe presin shqyrtimin dhe miratimin në Kuvend.

Sipas Haxhiut, Ligji për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyra të pajustifikueshme, por edhe ligje të tjera duhet të procedohen nëse ka vullnet të duhur politik, që ato të miratohen.

"Ne do të fokusohemi më tepër në ligjet që kanë të bëjnë më tepër me luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, mirëpo pa i përjashtuar edhe çështjet e tjera të cilat kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës. Sigurisht që do të kontribuojmë shumë në amendamentet për projektligjet e ndryshme të cilat do të procedohen në Kuvendin e Kosovës. Është e qartë se ajo për të cilën ka nevojë është zhvillimi ekonomik, mirëqenia, barazia dhe drejtësia", tha Haxhiu.

Deputetja Haxhiu tha po ashtu se shumë ligje të cilat janë të domosdoshme nuk janë paraparë në planin e Qeverisë, dhe kjo, sipas saj, paraqet shqetësim.

"Ata nuk a kenë pasur prioritet programin legjislativ apo qeverisës sepse kanë pasur interes akomodimin e ambicieve personale të individëve brenda kësaj Qeverie", tha Haxhiu.

Ndërkaq, Ahmet Isufi, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se ligjet të cilat kanë mbetur nga legjislatura e kaluar, por edhe ligjet e tjera duhet të miratohen me prioritet pasi që, sipas tij, në këtë formë Kosova mund të funksionojë edhe më mirë. Ai tha se pa një bazë të mirë ligjore të standardizuar dhe funksionale në kuptimin e zbatimit të ligjeve do të paraqiten pengesa në funksionimin e institucioneve të caktuara.

"Është koha për rishikimin e buxhetit, po ashtu Ligji për fenë dhe ligje të tjera të cilat duhet të kalojnë sa më shpjet, në mënyrë që Kosova të mund të funksionojë duke i adoptuar, ndryshuar dhe plotësuar këto ligje", tha Isufi.

Kurse deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, tha për Radion Evropa e Lirë se çdo ligj është i një rëndësie të veçantë, por sipas tij, prioritet duhet dhënë ligjeve që kanë të bëjnë me integrimet evropiane.

"Ligjet që ndërlidhen me integrimet evropian, por edhe të tjerat, qofshin ato që kanë të bëjnë me sundimin e rendit dhe ligjit në vend, të gjithat janë të rëndësishme. Ka disa që kanë mbetur në procedurë e që kanë qenë ligje të rëndësishme dhe tash varet edhe prej agjendës së re që e sjell Qeveria, por e cila (agjenda legjislative) ende nuk është para Kuvendit. Janë disa ligje, sidomos nga fusha e drejtësisë, të cilat kanë qenë në procedurë, por edhe ligje të tjera që kanë qenë në tentativë që të plotësohen dhe ndryshohen, siç është edhe Ligji për kodin penal dhe ai për liritë fetare", tha Zemaj.

"Viti 2018 është viti në të cilin është dashur të fillojnë së zbatuari disa ligje, sidomos në aspektin e sigurisë dhe sistemit të drejtësisë", tha deputeti Zemaj.

Kuvendi i Kosovës gjatë mandatit të kaluar është përballur me një prej periudhave më të vështira të funksionimit të tij dhe si pasojë kanë mbetur shumë ligje të pa miratuara.

Legjislatura e kaluar nuk ka arriti të përmbushë as kriterin e fundit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, e që ishte ratifikimi i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

XS
SM
MD
LG