Ndërlidhjet

Ligji për sigurime shëndetësore pret vitin 2019


Ilustrim

Kosova nuk do të jetë e gatshme të zbatojë Ligjin për sigurime shëndetësore para vitit 2019.

Zbatimit të ligjit, ishte parashikuar se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajve, gjatë së cilës do të mblidheshin premiumet (fondet). Mbledhja e premiumeve, ishte paralajmëruar të nisë që nga 1 korriku i vitit 2017.

Profesionistë të fushës thonë se deri në vitin 2019, do duhej të kryheshin përgatitjet, në mënyrë që të hyjë në fuqi ky ligj.

Qeveria kishte ndarë fillimisht 17 milionë euro për zbatimin e këtij ligji. Por, mjetet e planifikuara për sigurimet shëndetësore ishin tërhequr për shkak se Qeveria kishte vlerësuar se nuk janë kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili i tha Radios Evropa e Lirë se tashmë janë në bisedime me Bankën Botërore dhe se mbledhja e parave nga ana e qytetarëve nuk do të fillojë, por vetëm atëherë kur do të dihet saktë se me fillimin e zbatimit të ligjit, qytetarët do të marrin shërbime shëndetësore më të mira.

Duhet të krijohet një infrastrukturë e nevojshme e fondit për Ligjin për sigurime shëndetësore, në mënyrë që kur të fillojë mbledhja e premiumeve, të dihet se çfarë ndryshimesh do të ketë më ato para. Me vendim të Qeverisë, është ndalur mbledhja e premiumeve, për shkak se nuk ka pasur infrastrukturë të gatshme, andaj në këtë mënyrë do ta rëndonim xhepin e qytetarëve, derisa shërbimet shëndetësore të mos përmirësoheshin”, tha ministri Ismaili.

Në anën tjetër, Arian Zeka, Drejtor i Odës Ekonomike Amerikane, tha për Radion Evropa e Lirë se këta dy muajt e mbetur të këtij vit nuk mjaftojnë për ndryshim plotësimin e ligjit nga ana e Kuvendit të Kosovës, andaj siç thotë ai, edhe 12 muajt e ardhshëm të vitit 2018 do të ishin mjaftueshëm të kryhen të gjitha përgatitjet në mënyrë që në vitin 2019, Ligji për sigurime shëndetësore të hyjë në fuqi.

Oda Ekonomike Amerikane e ka vlerësuar si të rëndësishme futjen në fuqi të një ligji të tillë, por me faktin që të përmbushen kriteret e parapara me ligj, si lista e shërbimeve, funksionalizimi i sistemit të informimit shëndetësorë, krijimi i çmimores së shërbimeve”.

Është më se e nevojshme që të përmbushen kriteret, në mënyrë që të fillojë mbledhja e premiumeve. Ky ligj ka qenë i përfshirë në agjendën legjislative të vitit 2017 për plotësim ndryshim, dhe me plotësimin e tij duhet të shkohet përpara”, tha Zeka.

Ndryshe, Ligji për sigurimet shëndetësore është miratuar në vitin 2007, por ai asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi, meqë nuk ishte nënshkruar atëbotë nga shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Më vonë, ky ligj ishte tërhequr për shkak të implikimeve buxhetore, me rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG